BE-ja do të nisë në rrugë ajrore ndihma për organizatat në Gaza
2023-10-18 14:36:00

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Bashkimi Europian po fillon një operacion humanitar në rrugë ajrore në Egjipt, që të dërgojë furnizime në Gaza, citon “Panorama” mediat ndërkombëtare.

“Pas sulmit të tmerrshëm terrorist të Hamasit kundër Izraelit dhe pasojat që kanë çuar në një situatë katastrofike humanitare për popullin e Gazës, BE-ja vazhdon të shtojë ndihmën e saj urgjente për popullin palestinez”,- njoftoi Komisioni Evropian përmes një deklarate.

Operacioni fillon këtë javë me dy fluturime që transportojnë ngarkesa humanitare nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), duke përfshirë sende strehimi, ilaçe dhe komplete higjienike, sipas BE-së.

Presidentja e Komisionit Evropian njoftoi gjithashtu këtë fundjavë se BE-ja po rrit ndihmën e saj humanitare në 75 milionë euro për të mbështetur civilët në nevojë në Gaza.

BE-ja bëri të ditur se fondet do të kanalizohen përmes partnerëve të përzgjedhur humanitarë të BE-së që veprojnë në terren duke marrë parasysh kapacitetin dhe aksesin. (Elona)