Foto nga Xinhua
Presidenti kinez Xi Jinping u takua të martën në Pekin me kryeministrin hungarez Viktor Orban.
Marrëdhëniet kino-hungareze kanë ruajtur zhvillimin e nivelit të lartë në vitet e fundit, tha Xi, duke shtuar se Hungaria ka qenë e angazhuar për shumë kohë në politika miqësore ndaj Kinës dhe ka mbështetur aktivisht bashkëpunimin në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë".
Unë e vlerësoj shumë pjesëmarrjen e kryeministrit Orban në Forumin për Bashkëpunimin Ndërkombëtar "Një brez, një rrugë" për tre herë me radhë," tha Xi.
Sipas tij, Kina është e gatshme të vazhdojë të jetë një mike dhe partnere e mirë e Hungarisë, me besim të ndërsjellë e bashkëpunim me përfitime të përbashkëta, duke e ngjitur partneritetin e gjithanshëm strategjik dypalësh në nivele të reja.
Xi theksoi përkushtimin e Kinës për promovimin e një sinergjie të thellë ndërmjet nismës "Një brez, një rrugë" me politikën e Hungarisë "Hapja drejt Lindjes", si dhe për ndarjen e mundësive e arritjeve të zhvillimit.
Foto nga Xinhua
Të dy palët duhet të punojnë për përurimin në kohë të hekurudhës Budapest-Beograd, tha ai, duke shtuar se Kina është e gatshme të rritë importet e prodhimeve bujqësore me cilësi të lartë nga Hungaria.
Kreu i shtetit i Kinës vuri në dukje gjithashtu se vendi i tij është i gatshëm të punojë me Hungarinë për ta orientuar bashkëpunimin ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore e Lindore në drejtimin e duhur dhe për të promovuar përparimin e qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të marrëdhënieve Kinë-Evropë.
Hungaria do të mbështesë gjithmonë fuqimisht dhe do të vazhdojë të marrë pjesë në mënyrë aktive në nismën "Një brez, një rrugë", tha Orban.
Ai u shpreh që Hungaria mbetet e angazhuar për të thelluar marrëdhëniet e saj të miqësisë e të bashkëpunimit me Kinën dhe do të vazhdojë të jetë një mike dhe partnere e besueshme e Kinës në Bashkimin Evropian.
Foto nga VCG
Hungaria kundërshton shkëputjen, prishjen e zinxhirëve të furnizimit dhe të ashtuquajturin "çrrezikim", tha kryeministri.
Orban vuri në dukje që Hungaria do të vijojë të nxitë aktivisht bashkëpunimin e vendeve të Evropës Qendrore e Lindore me Kinën dhe forcimin e shëndetshëm e të vazhdueshëm të marrëdhënieve kino-evropiane.