Përshkallëzohet konflikti, Izraeli evakuon 28 qytete në kufirin me Libanin
2023-10-17 16:16:58

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Izraeli ka njoftuar evakuimin e banorëve që jetojnë në 28 qytete pranë kufirit me Libanin.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit, shtetasve izraelitë që banojnë pak më shumë se 2 kilometra nga Libani u është kërkuar të largohen. 

Paqeruajtësit e OKB-së nga ana tjetër kanë shpjeguar se ky apel vjen pas përleshjeve kufitare të cilat duket se janë përshkallëzuar midis luftëtarëve të Hezbollahut libanez dhe ushtrisë izraelite, njofton “RTSH”.

Hezbollahu sulmoi të dielën postet e ushtrisë izraelite dhe një fshat kufitar, Shtula, ndërsa Izraeli u kundërpërgjigj me sulme.

Hezbollahu zhvilloi vite luftë guerile kundër forcave pushtuese izraelite në jug të Libanit derisa ata u tërhoqën në vitin 2000, e ndjekur nga një luftë pesëjavore në vitin 2006.

Në vitin 2021, udhëheqësi i Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah, tha se grupi kishte 100.000 luftëtarë. (Fatosi)