Presidenti amerikan: SHBA-ja ka kapacitet të mbështesë Izraelin dhe Ukrainën
2023-10-17 14:40:46

Foto Rtsh

Presidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi se SHBA-ja ka kapacitetin e duhur që t’i ofrojë mbështetje Izraelit dhe Ukrainës duke ruajtur ndërkohë mbrojtjen e përgjithshme ndërkombëtare.

Gjatë një interviste për “CBS News”, Biden theksoi se jo vetëm që SHBA-ja mund t’i mbështesë të dyja vendet në luftërat e tyre, por ka edhe detyrim, njofton “RTSH”.

“Ne kemi kapacitetin për ta bërë këtë dhe kemi një detyrim, jemi kombi thelbësor”, tha Biden, duke perifrazuar një citim të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

“Ne jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kombi më i fuqishëm në histori – jo në botë, në historinë e botës. Ne mund të kujdesemi për të dyja këto dhe të ruajmë edhe mbrojtjen tonë të përgjithshme ndërkombëtare”, tha Biden, kur u pyet nëse SHBA-ja mund të mbështeste të dyja konfliktet në të njëjtën kohë.

Një nga shtyllat e presidencës së Biden ka qenë ripohimi i lidershipit global të SHBA-së, ku aleatët e kanë ndjekur përmes çështjeve gjeopolitike si konflikti i fundit mes Izraelit dhe Hamasit, financimin për Ukrainën dhe marrëdhëniet me Iranin. (Fatosi)