Foto nga Xinhua
Presidenti kinez Xi Jinping u takua të martën me presidentin e Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, i cili gjendet në Pekin për të marrë pjesë në Forumin e 3-të për Bashkëpunimin Ndërkombëtar "Një brez, një rrugë".
Xi u shpreh shumë i lumtur që takon përsëri një mik të vjetër. Marrëdhëniet e mira, të qëndrueshme dhe dinamike Kinë-Kazakistan ndihmojnë për zhvillimin dhe rigjallërimin e të dy vendeve, si edhe për paqen e qëndrueshmërinë rajonale, theksoi ai.
Foto nga Xinhua
Sipas tij, Kina mbështet Kazakistanin në mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit të tij territorial.
Pa marrë parasysh se si ndryshon situata ndërkombëtare, Kina dhe Kazakistani duhet të trashëgojnë konceptin e fqinjësisë së mirë e të miqësisë nga brezi në brez, dhe të nxisin zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit të përhershëm të gjithanshëm strategjik ndërmjet tyre, tha Xi.
Ai bëri thirrje që të forcohet bashkëpunimi dypalësh, të nxitet arritja e më shumë rezultateve nga bashkëpunimi për "Një brez, një rrugë" dhe të sillen më shumë përfitime për popujt e të dy vendeve.
Nga ana e tij, Tokayev-i theksoi se, që nga dita e parë, Kazakistani e ka mbështetur fuqimisht dhe ka marrë pjesë aktivisht në nismën "Një brez, një rrugë".
Foto nga VCG
Gjatë dekadës së fundit, Kina është bërë një vend udhëheqës në botë, dhe bashkëpunimi në kuadër të "Një brez, një rrugë" kanë sjellë arritje të shquara, tha ai.
Duke vënë në dukje se Kina është përherë vend mik dhe partner i besueshëm i Kazakistanit, presidenti Tokayev tha se vendi i tij vlerëson lart pozicionin e drejtë të Kinës dhe rolin pozitiv të saj në çështjet ndërkombëtare, duke përfshirë përpjekjet për të nxitur zgjidhjen e krizës së Ukrainës, dhe është i gatshëm të forcojë komunikimin e koordinimin shumëpalësh me Kinën.