Ministri i Jashtëm kinez takon homologun rus
2023-10-16 19:37:51

Foto nga Ministria e Punëve e Jashtme e Kinës

Foto nga Ministria e Punëve e Jashtme e Kinës

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi, i cili është gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, u takua me homologun e tij rus Sergei Lavrov të hënën në Pekin.

Takimi u zhvillua përpara Forumit të 3-të për Bashkëpunimin Ndërkombëtar "Një brez, një rrugë", i planifikuar të zhvillohet të martën dhe të mërkurën në Pekin.

Wang theksoi se ky vit, që shënon 10-vjetorin e nismës "Një brez, një rrugë" të propozuar nga presidenti Xi Jinping, është me rëndësi të madhe për lidhjen e së kaluarës me të ardhmen.

Kina e çmon vlerësimin e lartë dhe mbështetjen e presidentit rus Vladimir Putin për bashkëpunimin në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë", tha Wang, duke mirëpritur vazhdimin e pjesëmarrjes aktive të Rusisë në këtë nismë, duke dhënë kontribut të mëtejshëm për të shtuar zhvillimin dhe begatinë e përbashkët.

Lavrovi, nga ana e tij, tha se Rusia dhe Kina kanë ruajtur momentin e mirë në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. Rusia shpreson që të mbajë një komunikim të ngushtë strategjik me Kinën dhe të thellojë bashkëpunimin praktik në të gjitha fushat.

Kreu i diplomacisë ruse vuri në dukje që presidenti Putin po pret me padurim të takohet me presidentin Xi në Kinë, duke shprehur besimin mbi suksesin e kësaj veprimtarie.

Foto nga Ministria e Punëve e Jashtme e Kinës

Foto nga Ministria e Punëve e Jashtme e Kinës

Të dy palët kryen një koordinim strategjik rreth përpjekjeve për të forcuar bashkëpunimin në kuadër të Kombeve të Bashkuara, Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, BRICS-it dhe kornizave të tjera shumëpalëshe.

Të dy kryediplomatët shkëmbyen pikëpamje edhe mbi tensionet midis Palestinës dhe Izraelit.

Wang u shpreh se Kina dënon të gjitha format e veprimeve që dëmtojnë civilët dhe kundërshton çdo veprim që shkel të drejtën ndërkombëtare.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të marrë masa dhe vendet e mëdha duhet të luajnë një rol aktiv, vuri në dukje ai.

Ajo që nevojitet më shumë tani është të ndalohet zjarri dhe lufta, tha Wang, duke theksuar rëndësinë e nxitjes së të dy palëve drejt bisedimeve dhe të krijimit të kanaleve urgjente humanitare për të parandaluar një krizë më të madhe humanitare.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Qasja themelore është të aktivizohet e ashtuquajtura "zgjidhje me dy shtete", të bëhen më shumë përpjekje për konsensus dhe të promovohet hartimi i planit dhe afatit kohor për kthimin e të drejtave të ligjshme të kombit palestinez, vuri në dukje ai.