Izraeli përgatit ofensivën tokësore, OKB: Gaza po shtyhet në humnerë
2023-10-16 16:42:44

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Ushtria izraelite po planifikon një sulm nga toka, ajri dhe deti në Gaza, duke paralajmëruar 1.1 milionë palestinezë që jetojnë në veri që të evakuohen, njofton “RTSH”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dënuar urdhrin e evakuimit, teksa ka theksuar se detyrimi i pacientëve në spital për t'u zhvendosur do të ishte një dënim me vdekje.

Nuk është e qartë në këtë fazë se sa njerëz po lëvizin nga veriu i Rripit të Gazës në jug, por sipas agjencisë së ndihmës së OKB-së që operon brenda territorit, është një eksod.

“Kjo është më e keqja që kemi parë ndonjëherë. Po preket fundi. Kjo është Gaza që po shtyhet në një humnerë, një tragjedi që po shpaloset ndërsa bota po e shikon. Kjo është Gaza. Sipas kolegëve në terren, ka një eksod. Njerëzit po ikin, janë të tmerruar”, u shpreh drejtoresha e komunikimit të agjencisë.

Më shumë se 1300 persona u vranë në Izrael fundjavën e kaluar kur luftëtarët e Hamasit kaluan kufirin për të sulmuar civilët dhe ushtarët.

Më shumë se 2300 njerëz janë vrarë në fushatën e bombardimeve të Izraelit në Rripin e Gazës, të nisur pas ofensivës së Hamasit, thonë autoritetet palestineze. (Fatosi)