Foto nga CFP
Polonia mbajti të dielën zgjedhjet parlamentare, që konsiderohen si më të rëndësishmet që nga rënia e komunizmit, njofton “RTSH”.
Partia nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS) shpreson të fitojë një mandat të tretë, rast ky i paprecedentë në këtë vend.
Opozita nga ana e saj paralajmëron se mund ta vendosë vendin në një rrugë drejt largimit nga Bashkimi Europian.
Sondazhet në prag të votimit sugjeruan se gara është shumë e afërt.
PiS ka qeverisur për tetë vjet që nga marrja e detyrës në vitin 2015, kohë gjatë së cilës është akuzuar për “gërryerje” të normave demokratike në vend.
PiS akuzohet se e ka kthyer televizionin publik në një krah propagandues të qeverisë.
Po ashtu, akuzohet se e ka futur Poloninë në një kurs përplasjeje me BE-në për çështjet e sundimit të ligjit, që ka çuar në ngrirjen e dhjetëra milionë eurove në fondet evropiane. (Fatosi)