"Një brez, një rrugë", mbi 90 % e të pyeturve nga vendet bashkëndërtuese vlerësojnë frytet e nismës
2023-10-16 17:27:14

Rrjeti televiziv CGTN pranë Grupit Mediatik të Kinës (CMG) dhe Universiteti Renmin i Kinës, nëpërmjet Institutit të Studimit të Komunikacionit Ndërkombëtar "Xinshidai" (Epoka e Re), publikuan rezultatin e një sondazhi, i cili tregon që 93.8 % e të pyeturve nga vendet bashkëndërtuese të "Një brez, një rrugë" vlerësojnë lart frytet e pasura të arritura gjatë këtyre dhjetë vjetëve që prej shpalljes së kësaj nisme.

Në këtë sondazh, 92.2 % e të pyeturve nga vendet pjesëmarrëse të nismës mendojnë që përmirësimi i infrastrukturës është kushti paraprak për zhvillimin ekonomik dhe gjatë dhjetë vjetëve qysh prej fillimit të bashkëndërtimit të kësaj nisme, ndërlidhja infrastrukturore ka sjellë përmirësim të dukshëm për jetesën e popujve të këtyre vendeve.

Një sërë projektesh konkrete në kornizën e nismës "Një brez, një rrugë" kanë sjellë një ndjenjë të vërtetë përfitimi, lumturie dhe sigurie për popujt e këtyre vendeve. 85 % e të pyeturve mendojnë që nisma "Një brez, një rrugë" ka përmirësuar jetesën e banorëve vendas; po 85 % thonë që me këtë nismë njerëzit kanë siguruar më shumë mundësi për lidhje e shkëmbime me jashtë; ndërsa 83.5 %, 74.8 % dhe 73.8 %  janë të mendimit që bashkëndërtimi i "Një brez, një rrugë" mund të luajë rol pozitiv përkatësisht në shtimin e punësimit, ngritjen e të ardhurave dhe pakësimin e varfërisë.

Në këtë sondazh, pakësimi dhe anulimi i borxheve nga Kina për vendet pjesëmarrëse të nismës "Një brez, një rrugë" u vlerësuan lart nga të pyeturit. 83 % e tyre mendojnë që "Një brez, një rrugë" përshtatet me prirjen historike të bashkëpunimit e përfitimeve të përbashkëta e ata presin më shumë bashkëpunim me Kinën në kornizën e kësaj nisme.

Siç mësohet, ky sondazh global është zhvilluar me 3857 veta nga 35 vende, si Serbia, Hungaria, Afrika e Jugut, Argjentina, Arabia Saudite, Nigeria dhe Brazili.