Foto nga CFP
Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan Al Saud, mbi konfliktin palestinezo-izraelit, njofton “Xinhua”.
Wang vuri në dukje se të gjitha palët duhet të përmbahen nga çdo veprim që përshkallëzon situatën dhe duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur.
“Kina kundërshton dhe dënon të gjitha aktet që dëmtojnë civilët, sepse ato shkelin ndërgjegjen themelore njerëzore dhe normat themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare. Veprimet e Izraelit kanë shkuar përtej vetëmbrojtjes dhe vendi duhet të dëgjojë thirrjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe shefit të OKB-së për të ndaluar ndëshkimin kolektiv të njerëzve në Gaza”, tha Wang.
Kina është në komunikim intensiv me të gjitha palët për të nxitur një armëpushim dhe për t'i dhënë fund luftimeve, tha ai, duke shtuar se detyra urgjente është të garantohet siguria e civilëve, të hapen korridoret humanitare për ndihmë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të mbrohen nevojat e njerëzve në Gaza. Sipas tij, të gjitha vendet që duan paqen dhe mbështesin drejtësinë duhet të flasin dhe të bëjnë thirrje qartë për zbatimin e hershëm të zgjidhjes me dy shtete.
“Kina është e gatshme të punojë me Arabinë Saudite dhe vendet e tjera arabe për të vazhduar mbështetjen e kauzës së drejtë të palestinezëve për rivendosjen e të drejtave të tyre kombëtare dhe për ta rikthyer çështjen palestineze në rrugën e duhur të zgjidhjes me dy shtete, në mënyrë që ajo të mund të zgjidhet në mënyrë gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe përgjithmonë”,- tha Wang.
Faisal tha se Arabia Saudite, thellësisht e shqetësuar për zhvillimin aktual të situatës palestinezo-izraelite, dënon të gjitha sulmet ndaj civilëve dhe kundërshton zhvendosjen e detyruar të Izraelit të njerëzve në Gaza jashtë zonës.
Është e domosdoshme që furnizimet humanitare të arrijnë tek njerëzit në Gaza sa më shpejt të jetë e mundur, tha Faisal, duke shprehur shpresën se komuniteti ndërkombëtar do të punojë së bashku për të parandaluar përhapjen e konfliktit në vendet e tjera.
“Arabia Saudite beson se pa zbatimin e rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe krijimin e një shteti të pavarur palestinez, nuk mund të ketë zgjidhje të drejta dhe të përhershme për çështjen palestineze”,- tha ai.
Duke vënë në dukje se Kina luan një rol të rëndësishëm dhe themelor në promovimin e paqes dhe stabilitetit botëror, Faisal tha se Arabia Saudite është e gatshme të punojë me Kinën për t'i nxitur të gjitha palët të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar, të mbrojnë civilët nga dëmtimi dhe të zbatojnë rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit mbi çështjen palestineze. (Fatosi)