Foto nga CFP
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pajtohen se duhet të shmanget një përshkallëzim i mëtejshëm rajonal i dhunës pas sulmeve të tmerrshme të Hamasit ndaj Izraelit fundjavën e kaluar, njofton “ATSH”.
Në një bisedë telefonike, të dy udhëheqësit ranë dakord se ishte e rëndësishme të shmangej një konflikt rajonal dhe në veçanti ndërhyrja e Hezbollahut në konflikt, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, duke iu referuar milicisë shiite që vepron nga Libani, i cili gjithashtu sulmoi Izraelin nga veriu ditët e fundit.
Kancelari gjerman shprehu sërish solidaritetin e vendit të tij me Izraelin, një javë pasi organizata ekstremiste palestineze Hamas, e cila sundon Rripin e Gazës, tmerroi botën me masakrën e tyre ndaj izraelitëve që jetonin në komunitetet kufitare.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane tha se Netanyahu gjithashtu e informoi Scholz për përpjekjet izraelite për të mbrojtur civilët në Gaza, të cilëve u është thënë nga ushtria izraelite të largohen nga jugu përpara një pushtimi të mundshëm tokësor të brezit përgjatë Detit Mesdhe.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, u takua me homologët e saj egjiptianë dhe turq në Kajro, për të diskutuar mënyrat për të lehtësuar lirimin e pengjeve të mbajtura nga militantët e Hamasit dhe ndihmën humanitare për Gazën.
Të premten, Baerbock u takua me homologun e saj izraelit, Eli Cohen, në Netivot, pranë kufirit me Gazën, dhe siguroi Izraelin dhe popullin e tij për solidaritetin gjerman. (Fatosi)