Në Kinë janë rreth 14.41 milionë punonjës shëndetësorë
2023-10-14 10:46:12

Foto nga VCG

Kina regjistroi rreth 14.41 milionë punonjës shëndetësorë në fund të vitit të kaluar, 425.000 më shumë se një vit më parë, treguan statistikat nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit (NHC).

Sipas të dhënave, cituar nga “Xinhua”, kishte rreth 1 milion institucione mjekësore dhe shëndetësore në të gjithë Kinën në vitin 2022, nga të cilat më shumë se 80.000 paraqesin mjekësi tradicionale kineze.

Numri i mjekëve aktivë (asistentë mjekë) dhe infermierëve të regjistruar për 1000 persona ishte përkatësisht 3.15 dhe 3.71, të dyja shifra më të larta se ato në 2021, sipas NHC-së.

Deri në vitin 2025, numri i punonjësve shëndetësorë në Kinë pritet të arrijë në 16 milionë, sipas një plani të zhvillimit të talenteve shëndetësore për periudhën e 14-të të planit pesëvjeçar (2021-2025).

Komisioni Kombëtar i Shëndetit rishikoi gjithashtu progresin në përmirësimin e kujdesit shëndetësor për gratë dhe fëmijët, si dhe kushtet shëndetësore të popullsisë së plakur të Kinës.

Statistikat treguan se në vitin 2022 lindën 9.56 milionë foshnje dhe shkalla e vdekshmërisë te fëmijët nën 5 vjeç ishte 6.8 për 1000 dhe shkalla e vdekshmërisë foshnjore ishte 4.9 për 1000, ndërsa shkalla e vdekjes së nënave kishte rënë në 15.7 për 100.000.

Deri në fund të vitit 2022, ishin ndërtuar afro 19.500 institucione parësore mjekësore dhe shëndetësore të përshtatshme për pacientët e moshuar, sipas komisionit. (Irma)