Gjermania përshpejton shtimin e energjisë së erës në tokë
2023-10-14 13:26:28

Foto nga VCG

Gjermania po përshpejton shtimin e energjisë së erës në tokë. Kapaciteti i instaluar në nëntë muajt e parë të vitit e ka tejkaluar totalin e vitit të kaluar, sipas vlerësimeve të publikuara nga Agjencia “Onshore Wind Energy”, njofton “Xinhua”.

Kapaciteti i ri tokësor i vënë në punë deri në shtator 2023 ka tejkaluar periudhën e një viti më parë me mbi 50 për qind, duke arritur në total 2436 megavat.

Më shumë se një e treta u ndërtua në shtetin federal të Schleswig-Holstein në Gjermaninë veriore.

Në përgjithësi, zhvillimi dinamik sugjeron që deri në fund të vitit, ndërtimet e reja bruto mbarëkombëtare do të kalojnë pragun e 3 gigavat për herë të parë që nga viti 2017.

Normat e miratimit për projektet e reja të energjisë së erës janë gjithashtu në rritje. Në nëntë muajt e parë, 5.2 gigavat (GW) kapacitet i ri i energjisë së erës u ndezën nga autoritetet gjermane në mbarë vendin, më shumë se kurrë më parë.

Me vetëm 0.5 për qind të territorit të Gjermanisë në dispozicion për momentin për energjinë e erës, qeveria së fundi ka vendosur detyrime më të mëdha mbi shtetet federale. Deri në vitin 2032, ato duhet të përcaktojnë rreth 2 për qind të zonave të tyre shtetërore për energjinë e erës.

Për të ndihmuar në arritjen e një pjese prej 80 për qind të energjive të rinovueshme në furnizimin e saj me energji elektrike deri në vitin 2030, ekonomia më e madhe e Evropës planifikon të instalojë deri në 10 GW energji të erës në tokë çdo vit.

Në gjysmën e parë të vitit 2023, burimet e rinovueshme përbënin më shumë se gjysmën e konsumit bruto të energjisë elektrike në vend, sipas shifrave zyrtare. (Irma)