Kina do të lehtësojë rregullat për pronësinë e huaj
2023-10-13 18:40:49

CFP

CFP

Kina do të shqyrtojë mundësinë e heqjes ose lehtësimit të mëtejshëm të kufizimeve të pronësisë së huaj, për të tërhequr më shumë investitorë globalë, bëri të ditur Ministria e Tregtisë, citon “Xinhua”.

“Ndërsa vazhdon të shkurtojë listën negative për investimet e huaja, vendi do të përpiqet të përmirësojë mjedisin për biznesin dhe për një shërbim më të mirë për kompanitë e huaja”,- deklaroi zëdhënësi i ministrisë He Yadong, në një konferencë shtypi.

Sipas tij, Kina ka rishikuar listën negative për investimet e huaja për pesë vjet radhazi, duke reduktuar pengesat për pronësinë e huaj në disa sektorë, si prodhimi i farave, automobilat, anijet dhe avionët, letrat me vlerë, bankat dhe sigurimet.

Sipas një raporti të publikuar muajin e kaluar nga Qendra Kërkimore e Zhvillimit e Këshillit të Shtetit, Kina ka ruajtur pozicionin e saj si vendi i dytë më i madh në botë i investimeve të huaja që nga viti 2017 dhe mbetet një nga destinacionet më tërheqëse të investimeve në nivel global.

Në vitin 2022, përdorimi i investimeve të huaja direkte (IHD) arriti në 189.1 miliardë dollarë amerikanë, duke shënuar një rritje prej 8 për qind në bazë vjetore.

Ndërsa pjesa e Kinës në investimet e huaja direkte globale u rrit nga 8.2 për qind në vitin 2012 në 14.6 për qind në 2022-shin. (Irma)