Gazsjellesi Finlande-Estoni (Foto Reuters)
NATO-ja ka premtuar përgjigje të vendosur nëse dëmtimi i gazsjellësit nënujor midis Finlandës dhe Estonisë rezulton i qëllimshëm, pasi hetuesit thanë se në shtratin e detit ishin gjetur gjurmë të një force të jashtme mekanike, shkruan “RTSH”.
Zyrtari i Byrosë Kombëtare finlandeze të Hetimit, Risto Lohi, deklaroi në një konferencë shtypi në Helsinki se ka arsye të dyshohet se dëmi është shkaktuar nga një forcë e jashtme.
“Forca duket se ka qenë mekanike, jo një shpërthim”, u shpreh ai.
Shefi i agjencisë, Robin Lardot, tha se shenjat ishin gjetur në shtratin e detit në vendin e dëmtimit të tubacionit. Operatorët e tij thanë se do të duheshin të paktën pesë muaj për të riparuar tubacionin, që do të thotë se nuk kishte gjasa të vihet përsëri në qarkullim deri në prill 2024.
Autoritetet finlandeze njoftuan të martën se një rënie e papritur e presionit në gazsjellësin, e regjistruar të dielën, ishte shkaktuar nga dëmtimi i madh që dukej të ishte i qëllimshëm.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se nëse dëmtimi provohet se është një sulm ndaj infrastrukturës kritike të NATO-s do të përballet me një përgjigje e bashkuar dhe e vendosur nga aleanca.
Incidenti ndodhi pak më shumë se një vit pasi një sërë shpërthimesh nënujore dëmtuan tubacionet e “Nord Stream 1” dhe “Nord Stream 2”, një kanal kryesor për eksportet e gazit fosil rus në Evropën Perëndimore, duke nxjerrë gaz në Detin Baltik. (Irma)