Edukimi i vajzave (Foto Unesco)
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) bëri të ditur se është bërë përparim thelbësor në promovimin e barazisë gjinore në arsim, me 50 milionë vajza të tjera të regjistruara në shkollë që nga viti 2015, përcjell “Xinhua”.
Në raportin e saj të Monitorimit Global të Arsimit, të publikuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave, UNESCO-ja zbuloi një rritje të dukshme prej 22.5 milionë vajzash në shkollën fillore, 14.6 milionë në arsimin e mesëm të ulët dhe 13 milionë në arsimin e mesëm të lartë krahasuar me vitin 2015. “Shkalla e përfundimit të shkollës për vajzat u rrit nga 86 për qind në 89 për qind në arsimin fillor, nga 74 për qind në 79 për qind në arsimin e mesëm të ulët dhe 54 për qind në 61 për qind në arsimin e mesëm të lartë”,- thuhet në raportin e UNESCO-s, ku theksohet se krahasuar me 2015, tani çdo vit rreth 5 milionë vajza të tjera janë duke përfunduar filloren, shkollat e mesme të ulëta dhe të mesme të larta.
UNESCO-ja u bën thirrje anëtarëve të saj që të bëjnë përpjekje për të siguruar barazinë në arsim për vajzat dhe djemtë në shkollë, pasi ka ende 122 milionë vajza jashtë shkollës në mbarë botën, veçanërisht në Afrikën Sub-Sahariane. “Për të arritur barazinë gjinore në arsim në të gjithë globin, ne duhet të mbështesim përpjekjet tona, duke i pajisur vajzat me mjete dhe duke nxitur mjedise të favorshme për suksesin e tyre”,- Audrey Azoulay, drejtoreshë e përgjithshme e UNESCO-s. (Irma)