Forumi Suzhou fokusohet në përdorimin e teknologjisë bërthamore në industrinë mjekësore
2023-10-13 17:47:11

Një mjek flet me një pacient që i është nënshtruar terapisë me rrezatim për kancer në një spital në Shenzhen, provincën Guangdong./Xinhua

Forumi i Dytë Ndërkombëtar i Zhvillimit të Industrisë së Aplikimit të Teknologjisë Bërthamore u hap të enjten në Suzhou, në provincën Jiangsu, duke u fokusuar në përdorimin e teknologjive bërthamore në industrinë mjekësore, shkruan “China Daily”.

I organizuar nga Shoqata e Izotopeve dhe Rrezatimit të Kinës, në forumin dyditor, me temë “Fuqizimi i teknologjisë bërthamore për të ndërtuar një të ardhme më të mirë së bashku”, marrin pjesë mbi 400 përfaqësues nga nëntë vende dhe disa organizata ndërkombëtare, duke përfshirë përfaqësues nga Autoriteti i Energjisë Atomike të Kinës, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike dhe Shoqata Ndërkombëtare e Rrezatimit.

Pjesëmarrësit pritet të ndajnë zhvillimet e tyre në aplikimet e teknologjisë bërthamore dhe të komunikojnë me kolegët e tyre, sipas komitetit organizativ. Në ceremoninë e hapjes, u publikua Libri vjetor i Aplikimit të Teknologjisë Bërthamore të Kinës 2023. Dokumenti përshkruan status quo-në e industrisë bërthamore në Kinë dhe statistikat përkatëse.

Gjatë forumit do të ketë dhe seminare, me tema që variojnë nga kërkimi dhe aplikimi i teknologjisë bërthamore në trajtimin e tumorit deri te teknologjia e përpunimit të rrezatimit.

Përveç kësaj, një ekspozitë u mbajt jashtë ambienteve të forumit për të shfaqur produkte dhe teknologji të reja në terren. (Irma)