diplomati i lartë kinez Wang Yi/Xinhua
Konflikti palestinezo-izraelit provoi përsëri në një mënyrë jashtëzakonisht tragjike se rruga e vetme për të zgjidhur problemin palestinez lidhet në rifillimin e bisedimeve të vërteta të paqes sa më shpejt të jetë e mundur dhe realizimin e të drejtave të ligjshme të kombit palestinez, tha diplomati i lartë kinez Wang Yi të enjten.
Gjatë bisedimeve telefonike me kryekëshilltarin e Presidencës së Brazilit Celso Luiz Nunes Amorim, Wang, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe drejtori i Zyrës së Komisionit Qendror për Punët e Jashtme, vuri në dukje se çështja palestineze është thelbi i çështjes së Lindjes së Mesme, duke shtuar se problemi kyç qëndron në faktin që nuk është vendosur ende drejtësia për popullin palestinez.
Sipas tij, Kina është thellësisht e pikëlluar nga rritja e tensionit mes Palestinës e Izraelit dhe nga viktimat e shumta civile, kundërshton veprimet që dëmtojnë civilët dhe dënon shkeljet e ligjit ndërkombëtar.
Kina u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen, të shpërshkallëzojnë tensionet rajonale sa më shpejt dhe të parandalojnë zgjerimin e mëtejshëm të konfliktit, theksoi Wang, duke shtuar se përparësia kryesore është të garantohet siguria e banorëve dhe të hapen korridoret e ndihmës, për të shmangur krizën serioze humanitare në Gaza.
CFP
Nga ana e tij, Amorimi tha se, si vend kryetar i radhës i Këshillit të Sigurimit për tetorin, Brazili do të organizojë një mbledhje emergjente të Këshillit të Sigurimit mbi konfliktin palestinezo-izraelit të premten, duke shtuar se presidenti Luiz Inacio Lula da Silva ka publikuar një letër të hapur, që i bën thirrje Izraelit të ndalojë goditjet ajrore dhe të mbrojë fëmijët.
Amorimi shtoi se kyçi i zgjidhjes së konfliktit është rifillimi i bisedimeve të paqes, dhe se Brazili dëshiron të bashkërendohet me Kinën për të ndihmuar bashkërisht për të çtensionuar situatën. (Xu Guang)