Ministrat e Jashtëm arabë bëjnë thirrje për ndalimin e konfliktit palestinezo-izraelit dhe ringjalljen e procesit të paqes
2023-10-13 15:39:56

Lidhja Arabe (Foto Xinhua)

Lidhja Arabe (Foto Xinhua)

Ministrat e Jashtëm arabë kërkuan ndalimin e menjëhershëm të konfliktit të vazhdueshëm Izrael-Gaza dhe ringjalljen e procesit të ngecur të paqes palestinezo-izraelite.

Në komunikatën përfundimtare të takimit të jashtëzakonshëm të Lidhjes Arabe në nivel të ministrave të Jashtëm, të mbajtur në Kajro, diplomatët e lartë arabë u kërkuan të gjitha palëve të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe paralajmëruan për pasojat katastrofike humanitare dhe të sigurisë nga përshkallëzimi i mëtejshëm, shkruan “Xinhua”.

Ata theksuan domosdoshmërinë e heqjes së rrethimit izraelit në Rripin e Gazës dhe ofrimit të menjëhershëm të ndihmës humanitare, ushqimit dhe karburantit për banorët e Gazës.

Takimi u mbajt në ditën e pestë të konfliktit të përgjakshëm që shpërtheu midis grupit militant Hamas, i cili kontrollon Gazën, dhe Izraelit. Konflikti ka lënë më shumë se 2000 njerëz të vrarë dhe mijëra të tjerë të plagosur nga të dyja palët.

Ministrat e Jashtëm arabë dënuan vrasjen e civilëve nga të dyja palët, qofshin ata palestinezë apo izraelitë. Ata theksuan gjithashtu domosdoshmërinë e lirimit të pengjeve dhe të të burgosurve përkatës civilë.

Ata thanë se do të punojnë me komunitetin ndërkombëtar për një veprim urgjent dhe aktiv për të arritur mospërshkallëzimin e situatës, thuhet në komunikatën e publikuar.

Pjesëmarrësit e takimit u kërkuan shteteve arabe dhe pjesës tjetër të komunitetit ndërveprues që të ofrojnë mbështetje të mjaftueshme financiare për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët në Palestinë (UNRWA) në një kohë kaq kritike.

Takimi i jashtëzakonshëm ministror i Lidhjes Arabe u kryesua nga ministri i Jashtëm maroken, Nasser Bourita, i cili kërkoi nga ndërkombëtarët që të ketë konsultime reale për të ringjallur procesin e paqes.

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të hartojë një udhërrëfyes me qëllime praktike, duke përfshirë një plan kohor për negociata serioze dhe të qëllimshme midis palestinezëve dhe izraelitëve, në mënyrë që të bien dakord për një formulë përfundimtare për zgjidhjen e çështjes palestineze. (Irma)