Estonia kërkon përgjigje për dëmtimin e pashpjeguar të gazsjellësit
2023-10-12 18:22:41

Estonia nuk ka ende asnjë informacion se kush qëndron pas dëmtimit të një tubacioni gazi midis Estonisë dhe Finlandës, deklaroi të mërkurën presidenti Alar Karis.

Sizmologët kanë regjistruar shenja të një shpërthimi të mundshëm pranë tubacionit “Balticconnector” gjatë fundjavës.

“Ne e dimë se shkaku nuk është natyra, por ndoshta aktiviteti njerëzor. Kush, pse dhe si? Neglizhencë apo qëllim? Këto pyetje ende nuk kanë marrë përgjigje”,- shkroi Karis në “Facebook”.

Ai theksoi se siguria e furnizimit me gaz dhe lidhja ndërkufitare e internetit e Estonisë nuk ishin në rrezik, bën të ditur “ATSH”.

“Megjithatë, është e qartë se nevojitet më shumë vigjilencë, më shumë bashkëpunim dhe më shumë burime për të garantuar sigurinë e detit Baltik dhe infrastrukturën kritike”,- shkroi Karis.

Finlanda beson gjithashtu se dëmi është shkaktuar nga ndërhyrje nga jashtë.  Dëmtimi i tubacionit vjen një vit pasi tubacionet e gazit “Nord Stream 1” dhe 2 që lidhin Gjermaninë dhe Rusinë u goditën rëndë në aktet e sabotimit në detin Baltik. (Elona)