Aplikimet për azil në vitin 2023 në nivelin më të lartë që nga viti 2016
2023-10-12 17:27:43

Azilante (Foto RTSH)

Azilante (Foto RTSH)

Vendet e Bashkimit Evropian kanë marrë këtë vit më shumë se 800 mijë aplikime për azil, shifra më e lartë që nga viti 2016.

Sipas informacionit të siguruar nga media gjermane “Welt”, bazuar në të dhënat e Agjencisë së BE-së për Azilin, shifrat ka të ngjarë të arrijnë rekordin e 1 milion aplikimeve, citon “RTSH”.

Në total, 801.459 kërkesa për azil u paraqitën në 29 shtete midis fillimit të vitit dhe tetorit, tashmë shifra më e lartë për këtë periudhë 10-mujore që nga viti 2016.

Aplikimet për azil u rritën më shumë në Letoni (me 168%) dhe Estoni (me 119%), gjë që mund të shpjegohet me rritjen e emigracionit të parregullt nga Bjellorusia.

Gjermania renditet e treta me një rritje prej 74% të numrit të aplikimeve në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Franca pati një rritje në përqindje prej 37%. Rënia më e madhe u regjistrua në Danimarkë (rënie me 56%), Maltë (rënie me 54%), Qipro (rënie me 52%) dhe Austri (rënie me 41%).

Vendi me kërkesat më të pakta për azil deri tani këtë vit ishte Hungaria, me vetëm 26 aplikime gjithsej që nga janari.

Shumica e aplikantëve në vendet e BE-së, Norvegjisë dhe Zvicrës, vijnë nga Siria, Afganistani dhe Turqia. Aplikimet nga shtetasit turq patën një rritje të përgjithshme prej 102%. (Elona)