Rebelët Huthi të Jemenit zotohen të sulmojnë me raketa nëse SHBA-ja ndërhyn në Rripin e Gazës
2023-10-12 18:17:59

Jemen (Foto ATSH)

Jemen (Foto ATSH)

Udhëheqësi rebel i Jemenit, aleat i Iranit, Abdel-Malek al-Houthi, kërcënoi se do të përgjigjet me raketa dhe dronë nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërhyjnë në konfliktin e Rripit të Gazës.

“Ka vija të kuqe në situatën e lidhur me Rripin e Gazës dhe ne po koordinohemi me vëllezërit tanë dhe jemi të gatshëm të ndërhyjmë në çdo mënyrë që mundemi”, - tha ai në një fjalim të transmetuar në “TV al-Masirah”.

“Nëse SHBA-ja ndërhyn drejtpërdrejt ushtarakisht, ne jemi gati të veprojmë me sulme raketore, drone dhe të gjitha opsionet ushtarake që kemi ne dispozicion”,- shtoi ai, citon “ATSH”.

Rebelët Huthi, të cilët kanë kontrolluar kryeqytetin e Jemenit, Sana, që nga viti 2014, kanë nisur disa sulme gjatë viteve duke shënjestruar Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), të cilët janë të dy mbështetës të qeverisë jemenase dhe udhëheqin një koalicion që lufton organizatën islamike politike Huthis. (Elona)