Gjermania (Foto China Daily)
Një në gjashtë persona në Gjermani kanë vështirësi të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm për tryezat e tyre, në një kohë kur inflacioni i lartë po gërryen fuqinë blerëse, tregoi një sondazh i kryer nga “YouGov”, një institut britanik i kërkimit të tregut, për “Postbank”, citon “Xinhua”.
Rreth 17.2 për qind e të anketuarve thanë se vështirë se mund të përballonin kostot e tyre të jetesës për shkak të inflacionit të lartë.
Sipas raporteve të mediave lokale, familjet me të ardhura të ulëta mbajnë peshën kryesore të krizës së kostos së jetesës. Vështirësitë financiare ndihen edhe te njerëzit e shtresës së mesme, disa prej të cilëve janë bërë edhe vizitorë të rregullt të bankave ushqimore.
Varfëria në Gjermani është rritur me një ritëm më të shpejtë për shkak të pandemisë dhe inflacionit, sipas një raporti të botuar në mars nga Shoqata Gjermane e Mirëqenies së Paritetit. Raporti tregoi se fëmijët dhe të rinjtë në Gjermani janë të cenueshëm ndaj varfërisë, me mbi 20 për qind të të rinjve të prekur. Gjithashtu, 18.2 për qind e pensionistëve klasifikohen si të varfër. Vlerësimet paraprake tregojnë se inflacioni në Gjermani në shtator ra në 4.5 për qind, niveli më i ulët që nga shkurti i vitit 2022. Çmimet e ushqimeve dhe energjisë, nga ana tjetër, mbeten të larta.
Në gusht, çmimet e ushqimeve ishin 9 për qind më të larta se një vit më parë, ndërsa çmimet e energjisë ishin 8.3 për qind më të larta, sipas Zyrës gjermane të Statistikave. (Elona)