Foto:VCG
I dërguari i posaçëm i qeverisë kineze për çështjen e Lindjes së Mesme, Zhai Jun, foli të mërkurën në telefon me zv.ministrin e parë të Punëve të Jashtme të Palestinës, Amal Jadou, thuhet në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Jashtme e Kinës.
Z. Zhai theksoi që pala kineze është thellësisht e pikëlluar nga intensifikimi i konfliktit palestinezo-izraelit, i cili ka çuar në vdekjen dhe plagosjen e shumë civilëve të pafajshëm, dhe është shumë e shqetësuar për përkeqësimin serioz të situatës humanitare dhe të sigurisë në Palestinë.
Është e domosdoshme një armëpushim i menjëhershëm për të mbrojtur civilët, tha ai, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të luajë një rol efektiv në nxitjen e qetësimit të situatës dhe në ofrimin e ndihmës humanitare për popullin palestinez.
I dërguari kinez vuri në dukje se rruga për të dalë nga cikli i konfliktit palestinezo-izraelit qëndron në rifillimin e bisedimeve të paqes mbi bazën e projektit të "dy shteteve", krijimin e një shteti të pavarur palestinez dhe realizimin e bashkëjetesës paqësore ndërmjet Palestinës dhe Izraelit.
Kina do të vazhdojë të promovojë armëpushimin për të ndaluar dhunën, duke dhënë ndihmë për zbutjen e krizës humanitare dhe duke promovuar në mënyrë aktive paqen dhe negociatat, në mënyrë që të luajë një rol konstruktiv në nxitjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme për çështjen e Palestinës, shtoi ai.
Jadou, nga ana e tij, vlerësoi qëndrimin e drejtë dhe afatgjatë të Kinës për çështjen e Palestinës dhe promovimin aktiv prej saj të bisedimeve të paqes. Pala palestineze shpreson se pala kineze do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në situatën aktuale, tha ai.(Zhang Yan/Artan)