Konflikti Izrael-Gaza/ Putin dhe Erdogan kërkojnë krijimin e shtetit të Palestinës
2023-10-12 18:39:16

Erdogan dhe Putin (Foto RTSH)

Erdogan dhe Putin (Foto RTSH)

Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi gjatë takimit në Moskë me kryeministrin irakian, Mohammed Shia al-Sudani, se konflikti mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit në Gaza, vjen si pasojë e dështimit të politikës së Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme.

Presidenti rus bëri thirrje për krijimin e një shteti sovran palestinez dhe e konsideroi atë si diçka të domosdoshme. Putin tha se Perëndimi kurrë nuk i ka marrë parasysh interesat thelbësore të popullit palestinez, citon “RTSH”. 

Edhe presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka kërkuar po ashtu krijimin e shtetit të pavarur të Palestinës, si zgjedhje për konfliktin mes palestinezëve dhe izraelitëve.  “Krijimi i shtetit të pavarur të Palestinës, bazuar në kufijtë e vitit 1967, me integritet gjeografik dhe me Kudsin lindor si kryeqytet është nevojë e cila tashmë nuk mund të vonohet më”,- deklaroi Erdogan.

Presidenti turk u ofrua gjithashtu si ndërmjetësues për të rivendosur paqen.

“Na lëngon zemra, kur kryesisht fëmijët e pafajshëm, foshnjat në djep, humbin jetën. Fryrja ndaj këtij zjarri nuk është në dobi të askujt, veçanërisht për civilët nga të dyja palët. Jemi të vendosur të vazhdojmë duke intensifikuar përpjekjet diplomatike që kemi filluar për rikthimin e qetësisë. Ftojmë të gjithë aktorët dominues në rajon të kontribuojnë sinqerisht për paqen”- tha Erdogan. (Elona)