CFP
Presidenti amerikan, Joe Biden, prej dy ditësh është intervistuar si pjesë e një hetimi për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara pasi ai u largua nga posti i zëvendëspresidentit në 2017-n.
Biden është takuar vullnetarisht të dielën dhe të hënën në Shtëpinë e Bardhë me këshilltarin special Robert Hur, në lidhje me një hetim për dokumentet e klasifikuara të gjetura në zyrën dhe shtëpinë e tij, pas largimit nga detyra e zëvendëspresidentit dhe para zgjedhjes së tij si president i SHBA-së, shkruan “RTSH”.
Biden nuk akuzohet për asnjë krim, pasi është procedurë e zakonshme që presidentët të intervistohen nga hetuesit.
“Presidenti dhe Shtëpia e Bardhë po bashkëpunojnë me këtë hetim dhe siç ka qenë e përshtatshme ne kemi dhënë publikisht përditësimet përkatëse, duke qenë sa më transparentë që mundemi në përputhje me mbrojtjen dhe ruajtjen e integritetit të hetim”,- tha zëdhënësi i Biden.
Pas gjetjes së dokumenteve, presidenti tha se ekipi i tij ia dorëzoi menjëherë Arkivit Kombëtar dhe Departamentit të Drejtësisë. Nuk është e qartë pse Biden po i mbante ato, por presidenti ka thënë më parë se nuk e dinte se dokumentet ishin aty. Disa nga dokumentet ishin etiketuar si top sekret, niveli më i lartë i klasifikimit. (Elona)