Presidenti i emëruar i COP28 vlerëson rolin kryesor të Kinës në tranzicionin e gjelbër
2023-10-11 10:23:21

Sulltan Ahmed Al Jaber, presidenti i emëruar i konferencës së ardhshme të klimës COP28 të Kombeve të Bashkuara, vlerësoi rolin udhëheqës të Kinës për lehtësimin e tranzicionit të gjelbër në botë dhe promovimin e energjisë së rinovueshme. Ai tha se ka marrë mbështetje të madhe nga qeveria kineze.

“Një mbështetje e tillë është thelbësore për ta bërë historik këtë samit, me rezultate të paprecedenta”,- deklaroi ai gjatë një interviste ekskluzive me “China Daily” në Pekin.

“Kina ka qenë gjithmonë një pjesëmarrëse aktive në konferencat e klimës dhe një partner strategjik i Emirateve të Bashkuara Arabe”,- tha Al Jaber, i cili është gjithashtu i dërguari special i Emirateve të Bashkuara Arabe për ndryshimet klimaterike dhe ministri i saj i Industrisë dhe Teknologjisë së Përparuar.

foto: ChinaDaily

foto: ChinaDaily

Ai i bëri komentet gjatë vizitës së tij dyditore në Pekin, udhëtimi i tij i dytë në Kinë këtë vit, në prag të Konferencës së 28-të të Palëve të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimaterike. I njohur si COP28, samiti global i klimës do të zhvillohet nga 30 nëntori deri më 12 dhjetor në Dubai.

Al Jaber tha se lëndët djegëse fosile do të vazhdojnë të shfrytëzohen për të garantuar sigurinë globale të energjisë, pavarësisht thirrjeve për t'i dhënë fund përdorimit të tyre. “Megjithatë, vendet, të pasura apo të varfra, duhet të përshpejtojnë një tranzicion të rregullt nga nafta dhe gazi në burime më të pastra të energjisë, duke filluar nga dielli dhe era te hidrogjeni, në mënyrë që të shmangin fatkeqësitë klimatike. Bota nuk mund të shkëputet nga sistemi aktual energjetik përpara se të ndërtohet sistemi i ri energjetik. Në vend të kësaj, ne duam të vazhdojmë të dekarbonizojmë sektorin e naftës dhe gazit”,- tha ai, duke vënë në dukje se karburantet fosile nuk mund të eliminohen as në planin më progresiv duke reduktuar gjurmën e karbonit në botë. Sipas tij, për të përmbushur kërkesat globale të energjisë do të vijojë të jetë nevoja për naftë dhe gaz.

Al Jaber përmendi nxitjen e dekarbonizimit që synon sektorin e energjisë konvencionale në Emiratet e Bashkuara Arabe, tani një vend prodhues nafte me intensitetin më të ulët të karbonit, si një shembull për të ilustruar qasjen më pragmatike dhe për të orientuar rezultatet e arritura për të siguruar suksesin e samitit të ardhshëm.

foto: VCG

foto: VCG

Gjatë dy dekadave të fundit, Emiratet e Bashkuara Arabe komercializuan energjinë e rinovueshme dhe e bënë industrinë e saj të naftës më miqësore me klimën përmes metodave të tilla si adoptimi i teknologjive të kapjes dhe ruajtjes së karbonit, tha ai.

Al Jaber theksoi se bota duhet të trefishojë furnizimin me energji të rinovueshme dhe të forcojë efikasitetin në sektorin e energjisë konvencionale, për të arritur një tranzicion të drejtë, të barabartë dhe të përgjegjshëm drejt burimeve të energjisë miqësore me klimën.

Për ta bërë këtë tranzicion të zbatueshëm, Al Jaber tha se sistemi i financimit të klimës duhet të rinovohet në mënyrë që Jugu Global të mund të arrijë objektivat e tij për reduktimin e emetimeve.

foto: VCG

foto: VCG

Ai tha se gjithashtu se pret nga vendet e zhvilluara të mbajnë premtimin e bërë në vitin 2009 për t'u dhënë vendeve në zhvillim 100 miliardë dollarë në vit, për të ndihmuar në përmbushjen e tranzicionit të gjelbër.

“Fakti që financat nuk janë vënë në dispozicion, të arritshme ose të përballueshme, ka vonuar përparimin dhe kjo është arsyeja pse Marrëveshja e Parisit nuk është zbatuar me seriozitetin e duhur”,- tha ai, duke iu referuar marrëveshjes së arritur nga liderët botërorë në vitin 2015 për të mbajtur rritjen e temperaturës globale nën 1.5 gradë celcius krahasuar me nivelet paraindustriale.

Në fillim të këtij muaji, Sekretariati i Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimaterike publikoi një raport mbi stokun global, i cili mat përparimin drejt përmbushjes së qëllimeve të Marrëveshjes së Parisit. Sipas raportit, dritarja për të zbatuar premtimet ekzistuese dhe për të kufizuar ngrohjen në 1.5 gradë mbi nivelet paraindustriale po ngushtohet me shpejtësi dhe financat publike ndërkombëtare duhet të përdoren në mënyrë strategjike për të shmangur katastrofat klimaterike.

“Fatkeqësisht, nuk ka pasur shumë përparim në këtë drejtim. Jemi shumë larg qëllimit”,- theksoi ai, duke shtuar se dëshiron të rivendosë besimin në COP28 dhe ta përdorë këtë takim si një mjet për ta kthyer retorikën në veprime dhe afate kohore të zbatueshme, me shpresën për të reduktuar me sukses rreth 22 gigatonë emetime të gazeve serrë deri në vitin 2030.

“Ky është qëllimi dhe kërkesa bazë për të mbajtur objektivin e ngrohjes brenda synimeve. Ne nuk duhet t'i drejtojmë më gishtat ndaj askujt duke menduar se ata janë problemi. Armiku ynë është emetimi”,- tha Al Jaber.