Të ardhura (Foto RTSH)
Shqipëria ka arritur të ruajë rritje ekonomike të qëndrueshme, pavarësisht tkurrjes së shkaktuar nga pandemia e Covid-19, por gjithsesi kjo nuk i ka shërbyer për të mbyllur hendekun që ka me Bashkimin Europian në terma të të ardhurave për frymë. Një raport përmbledhës i Komisionit Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara, i publikuar këtë javë, ndalet në disa aspekte të ekonomisë duke nënvizuar ndër të tjera edhe sfidat.
“Ekonomia e Shqipërisë është zgjeruar me një ritëm lehtësisht të përshpejtuar gjatë dekadës së fundit, duke u rikthyer fuqishëm nga tkurrja e shkaktuar nga pandemia Covid 19.
Pavarësisht kësaj, ritmi i konvergjencës me BE-në deri vonë ka qenë mjaft i ngadaltë dhe PBB për frymë në Standardin e Fuqisë Blerëse përfaqëson ende më pak se një të tretën e mesatares së BE-së.
Duke pasur parasysh këtë ndryshim në standardet e jetesës, daljet emigratore kanë qenë të mëdha, duke rezultuar në remitanca që janë afër 10% të PBB-së dhe një popullsi në moshë pune në tkurrje. Punësimi në bujqësi ka qenë në rënie të vazhdueshme, por ende zë rreth 35%”,- thuhet në raport, citon “Panorama”.
Një tjetër element që merr parasysh raporti është fakti që tregtia mbetet ende nën potencial. Kështu, hapja tregtare cilësohet se është relativisht e ulët, gjë që e pengon vendin të kapërcejë në mënyrë më të plotë kufizimet e tregut të vogël vendas.
Shqipëria vlerësohet se ka një performancë të dobët të inovacionit dhe rritja e ulët e produktivitetit ngadalëson përfitimet nga zhvillimi.
“Tregu i punës karakterizohet nga nivele të larta papunësie, përqindje të ulëta pjesëmarrjeje dhe informalitet të përhapur. Së bashku me mangësitë e aftësive, këto karakteristika strukturore kufizojnë rritjen e produktivitetit, ndërkohë që pjesa e punësimit në profesionet me aftësi të larta është shumë më e ulët se ajo e vërejtur në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. (Elona)