Shkencëtarët kinezë kanë zbuluar një radioshpërthim të shpejtë të ri nga hapësira me ndihmën e radioteleskopit më të madh në botë.
Radioteleskop Sferik me Diametër Pesëqind Metra (FAST), provincë Guizhou(Foto:VCG)
Radioshpërthimet e shpejta janë radioflakërima misterioze që zgjasin vetëm disa të mijëtat e sekondës, të cilat u konfirmuan në vitin 2016 se e kanë origjinën nga kozmosi. Ende nuk ka asnjë shpjegim për origjinën e tyre.
Duke përdorur Radioteleskopin Sferik me Diametër Pesëqind Metra (FAST) të Kinës, në provincën jugperëndimore Guizhou, një ekip kërkimor vendor gjeti një radiosinjal të dobët, përkatësisht FRB 20200317A, pas një analize të të dhënave masive të vëzhgimit të FAST-it, dhe e raportoi zbulimin në fund të shtatorit për komunitetin astronomik ndërkombëtar.
Disa media kombëtare e ripostuan lajmin këtë javë, duke theksuar se studiuesit janë nga një laborator i shkencave kompjuterike dhe informacionit të Universitetin Pedagogjik të Guizhou-t. Zbulimet e mëparshme janë bërë kryesisht nga Observatorët Astronomikë Kombëtarë, operatori i këtij megaobjekti shkencor.
FAST është radioteleskopi më i madh me një antenë të vetme parabolike në botë, me një zonë marrëse të barabartë me 30 fusha standarde futbolli. Ai filloi zyrtarisht të funksionojë më 11 janar 2020 dhe, që atëherë, ka nisur gjurmimin e radioshpërthimeve të shpejta dhe kapi katër radioshpërthimet e shpejta jopërsëritëse të para në vitin 2020.
Sipas shkencëtarëve, më shumë zbulime të radioshpërthimeve të shpejta mund të ofrojnë njohuri për një gamë të gjerë problemesh astrofizike.(Zhang Yan/Artan)