BE-ja tërheq vendimin për pezullimin e ndihmave për palestinezët
2023-10-11 16:16:06

Flamuri i BE-se (Foto RTSH)

Flamuri i BE-se (Foto RTSH)

Komisioni Evropian ka pezulluar vendimin për ndërprerjen e ndihmave humanitare për palestinezët, duke hedhur poshtë deklaratën e komisionarit për Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi.

Pas sulmit të grupit militant Hamas ndaj Izraelit, të shtunën, Varhelyi, doli me vendimin se të gjitha pagesat për palestinezët do të pezullohen menjëherë.

“Të gjitha projektet janë nën shqyrtim. Të gjitha propozimet e reja buxhetore, përfshirë edhe ato për vitin 2023, janë shtyrë deri në një njoftim të ri”,- tha ai.

Në një reagim më vonë, Komisioni Evropian e kundërshtoi zyrtarin e vet Varhelyi, duke thënë se nuk do të ketë pezullim të pagesave, përcjell “RTSH”.

Spanja e ka kundërshtuar ndaljen e ndihmave për palestinezët. Ministri i Jashtëm spanjoll në detyrë, Jose Manuel Albares, tha të martën se ky bashkëpunim duhet të vazhdojë patjetër, sepse nuk mund të përzihet Hamasi, të cilin BE-ja e ka në listën e grupeve terroriste, me popullin palestinez apo Autoritetin Palestinez apo organizatat e Kombeve të Bashkuara në terren.

Të hënën, Izraeli njoftoi rrethimin e plotë të Rripit të Gazës, duke mos lejuar futjen e ushqimeve dhe ujit, si dhe duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike. Kjo ka nxitur frikë se gjendja tashmë e rëndë humanitare në Gaza do të përkeqësohet shumë shpejt. (Elona)