Rëndësia e lumenjve të mëdhenj në zhvillimin e qytetërimeve dhe si të mbrohet më mirë trashëgimia kulturore në këto zona ishte në qendër të vëmendjes në Forumin e Qytetërimeve të Lumenjve të Mëdhenj Botërorë 2023, që u zhvillua muajin e kaluar në Zhengzhou, në provincën kineze Henan.
Foto nga VCG
Në të morën pjesë më shumë se 300 profesionistë të trashëgimisë dhe të dërguar diplomatikë nga Kina dhe vende të tjera pranë pellgjeve të lumenjve të mëdhenj, duke përfshirë Indusin, pellgun lumor të Mesopotamisë dhe Nilin.
Wang Wei, drejtor i Divizionit Akademik të Historisë të Akademisë Kineze të Shkencave Sociale, deklaroi se në historinë e gjatë të Kinës, shumica e ndryshimeve të saj parahistorike dhe të dinastive ndodhën në pellgun e Lumit të Verdhë.
“Rreth 10.000 vjet më parë, njerëzit në këtë zonë filluan të kultivonin melin, një nga përpjekjet më të hershme në botë për bujqësi të organizuar. Me përparimin e bujqësisë, u rrit edhe popullsia, gjë që nxiti zhvillimin e zejtarisë dhe rritjen e mëtejshme të popullsisë.
Si rezultat, diferencimi shoqëror gradualisht u intensifikua, duke çuar në shfaqjen e dinastive dhe shteteve të bazuara në klasa”,- tha Wang.
Foto nga VCG
Sipas tij, në këtë zonë kanë lindur shumica e sistemeve politike të lashta kineze me ndikim, si dhe e besimeve ideologjike, dhe se kjo është arsyeja pse thuhet se kultura e Lumit të Verdhë është rrënja e qytetërimit kinez.
Ai theksoi gjithashtu se lumi Yangtze, një tjetër rrugë e madhe ujore në Kinë, luajti një rol jetik në formimin e qytetërimit kinez, pasi u zhvillua bujqësia e bazuar në oriz dhe kultura e lidhur me të.
Yang Jianhua, profesoreshë në Shkollën e Arkeologjisë të Universitetit Jilin, bën krahasime midis origjinës së qytetërimeve në pellgun e Lumit të Verdhë dhe atë të Mesopotamisë, të dy djepe të qytetërimit, për sa i përket strukturave familjare, modeleve të kulturës, integrimit rajonal dhe traditave fetare.
Sipas saj, qytetërimi sumer në Mesopotami dhe qytetërimi kinez, i përfaqësuar nga Lumi i Verdhë, janë dy nga qytetërimet e hershme më të rëndësishme në histori. Rrugët e tyre të zhvillimit në shtete kanë një rëndësi universale për botën. Po ashtu theksohet natyra e pandërprerë e qytetërimit të Mesopotamisë kur krahasohet me Lumin e Verdhë.
“Në pellgun e Lumit të Verdhë, vazhdimësia e fiseve garantonte vazhdimësinë e koncepteve kulturore dhe identitetit kombëtar, që është themeli i vazhdimësisë së një qytetërimi. Nga ana tjetër, zhvillimi i organizatave gjeopolitike në Mesopotami çoi në dobësimin e lidhjeve fisnore.
Si rezultat, identitetet kombëtare u riorganizuan vazhdimisht dhe zëvendësuan identitetin tradicional kulturor, duke e bërë qytetërimin jo të vazhdueshëm. Ato përfaqësojnë dy mënyra të ndryshme të procesit të formimit të shtetit. Dallimi ndikoi në shoqëritë e lashta në secilin rajon dhe siguroi një referencë të rëndësishme në botën aktuale për të kuptuar dallimet”,- deklaroi Yang.
Foto nga VCG
Sipas Wang, pa një kuptim të plotë të qytetërimeve të tjera në botë, është e vështirë të përmblidhen karakteristikat e qytetërimit kinez.
“Kjo është arsyeja pse arkeologët kinezë kanë përparuar me hapa të mëdhenj në dekadat e fundit në ekspedita jashtë Kinës. Gjithsej 36 ekipe kineze kanë kryer punë arkeologjike në më shumë se 20 vende, duke përfshirë një për të studiuar qytetërimin Maja në vitin 2015 dhe një për të studiuar qytetërimin egjiptian në vitin 2018”,- tha ai.
Tu Weiming, nënkryetar i Federatës Ndërkombëtare të Shoqërive Filozofike, thekson rëndësinë e komunikimit midis qytetërimeve. Filozofia greke dhe iluminizmi, si dhe lëvizja intelektuale dhe filozofike në Europën Perëndimore në shekujt XVII dhe XVIII, kanë frymëzuar gjithashtu mendimtarët modernë kinezë, shton ai.
“Shpresojmë që ky forum të bëhet një platformë akademike ndërkombëtare për studiues nga vende të ndryshme për të shkëmbyer ide dhe për të arritur më shumë bashkëpunim në fusha të ndryshme në të ardhmen”,- tha Wang.