Ushtria izraelite njofton kontrollin e plotë të kufirit të Gazës
2023-10-11 17:43:37

CFP

CFP

Ushtria izraelite njoftoi të martën se kishte rimarrë kontrollin e plotë të kufirit me Gazën, pasi militantët e Hamasit shkelën vijën mbrojtëse në fundjavë dhe vranë qindra izraelitë.

Richard Hecht, zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, tha se asnjë militant nuk kishte hyrë nga Rripi i Gazës që nga nata e së hënës, por se mund të ketë ende disa sulmues palestinezë në lëvizje brenda Izraelit, shkruan “ATSH”.

Ai tha se trupat e 1500 militantëve janë gjetur deri tani në territorin izraelit dhe se qindra sulmues të tjerë janë kapur.

Ai paralajmëroi se shkëmbimet e zjarrit që kanë ndodhur në zonat përgjatë kufirit që nga sulmi i papritur i shumëfishtë i Hamasit ndaj Izraelit të shtunën ishin ende duke vazhduar.

Që nga e shtuna, rreth 900 njerëz janë vrarë në Izrael nga luftëtarët e Hamasit dhe më shumë se 2600 të tjerë janë plagosur, sipas Ministrisë izraelite të Shëndetësisë. Izraeli thirri nën armë rreth 300.000 rezervistë përpara një pushtimi të mundshëm tokësor të enklavës palestineze. (Elona)

CFP

CFP