Automjeti robotik i ndërtuar nga universiteti kinez eksploron pjesën e poshtme të akullit të Arktikut
2023-10-10 16:04:28

Universiteti i Inxhinierisë Harbin 

Një automjet autonom nënujor (AUV) i zhvilluar nga një ekip universitar kinez ka marrë një sasi të madhe të dhënash gjatë ekspeditës më të fundit në Arktik, duke zbuluar karakteristika të ndryshme nën Polin e Veriut, njofton “CGTN”.

I ndërtuar nga studiues nga Universiteti i Inxhinierisë Harbin (HEU), roboti i kuq në formë peshku, i quajtur “XH1000”, përfundoi operacionet e zbulimit të mjedisit nën akull pranë detit Chukchi gjatë ekspeditës së 13-të shkencore të vendit në Oqeanin Arktik dhe transmetoi një lumë të dhënash, duke përfshirë temperaturën e ujit të oqeanit, kripësinë dhe nivelet e pH.

“AUV-ja e vëzhgimit polar, e pajisur me sensorë zbulimi të zhvilluara në vend, eksploroi një sipërfaqe prej 7000 metrash katrorë nën akullin e Arktikut, e cila është e favorshme për të kuptuar më tej procesin e ndryshimit të akullit të detit dhe rrymave të oqeanit në rajon, si dhe ofron mbështetje të të dhënave për përballjen me ndikimin e ndryshimeve klimaterike globale në Kinë”,- tha Zhu Zhongben, udhëheqës i ekipit të operacionit dhe profesor i asociuar në HEU.

Ekspedita verifikoi gjithashtu disa teknologji kyçe, duke përfshirë lundrimin nënujor në gjerësi të lartë në rajonin polar, komunikimin akustik nënujor dhe kontrollin e saktë të navigimit nën akull, si dhe gjeneroi përvojë të vlefshme për zhytësit robotikë për të punuar në zonat polare me rrezik të lartë dhe mjedise ekstremisht të ashpra.

Ekipi i ekspeditës së 13-të shkencore të Oqeanit Arktik të Kinës u nis më 12 korrik në bordin e akullthyesit polar “Xuelong-2”. Ata u kthyen në portin e Shangait më 27 shtator, pas një udhëtimi prej 15.000 miljesh detare (afërsisht 27.800 kilometra) për 78 ditë.

Akullthyesi arriti në Polin e Veriut më 5 shtator për të kryer hetime mbi akullin dhe detin, duke shënuar herën e parë që një anije kineze arriti në atë pikë, gjë që ka ndihmuar në plotësimin e boshllëkut në bazën e të dhënave të vendit në lidhje me rajonin e Polit të Veriut. (Fatosi)