Përmirësime në Kinën jugore për të rritur shpejtësinë e trenave
2023-10-10 11:15:58

Një hekurudhë e madhe e shpejtësisë së lartë që lidh rajonin jugperëndimor të Kinës dhe Zonën e Madhe të Gjirit Guangdong-Hong Kong-Makao, do të rritë shpejtësinë e funksionimit dhe do të prezantojë lloje të reja biletash, për të përmirësuar kapacitetin dhe efikasitetin e saj, njoftoi operatori hekurudhor kombëtar, bën të ditur “Xinhua”.

Linja 857 kilometra, që lidh Guiyang, provincën Guizhou dhe Guangzhou, provincën Guangdong, prej së mërkurës do ta rritë shpejtësinë e funksionimit në 300 km/orë nga 250 km/orë, njoftoi “China State Railway Group”.

Koha e udhëtimit mes dy qyteteve do të reduktohet me 31 minuta, në 3 orë e 39 minuta.

Linja, e cila u hap në dhjetor 2014, është një korridor i rëndësishëm hekurudhor me shpejtësi të lartë midis Kinës jugperëndimore dhe Zonës së Madhe të Gjirit.

Rritja e shpejtësisë do të reduktojë gjithashtu kohën e udhëtimit midis Guangzhou dhe qyteteve të tjera të mëdha si Chengdu, kryeqendra e provincës Sichuan, dhe Chongqing.

Koha e udhëtimit midis Guangzhou dhe Chengdu do të reduktohet në më pak se 7 orë, dhe nga Guangzhou në Chongqing në rreth 5 orë e 40 minuta.

Pas projektit të përmirësimit, 177 trena planifikohen të vihen në punë gjatë orëve jashtë pikut, ndërsa 189 trena gjatë orëve të pikut.

Gjatë periudhës së sapopërfunduar të festave të Mesvjeshtës dhe Ditës Kombëtare, 141 milionë udhëtime u bënë me hekurudhë në mbarë vendin nga 29 shtatori deri më 6 tetor, me numrin mesatar të udhëtimeve ditore që u rrit 158 për qind në bazë vjetore në 17.64 milionë, sipas Ministrisë së Transporteve. (Fatosi)