Anulohen dhjetëra fluturime ndërkombëtare drejt Izraelit
2023-10-09 17:40:24

Aeroport ne Izrael (Foto Ekonomiaonline)

Aeroport ne Izrael (Foto Ekonomiaonline)

Linja të shumta ajrore kanë njoftuar anulime të fluturimeve për dhe nga Tel Avivi, në vazhdën e ofensivës ushtarake të Hamasit ndaj Izraelit, njofton “ATSH”.

Kompania gjermane “Lufthansa”, transportuesi kryesor i Evropës, anuloi fluturimet drejt dhe nga Tel Avivi deri të hënën për shkak të “situatës së sigurisë”, pas nisjes së një ofensive të befasishme ushtarake nga Hamasi, deklaroi një zëdhënës.

“Duke pasur parasysh situatën aktuale në Izrael, “Lufthansa” po anulon të gjitha fluturimet për dhe nga Tel Avivi deri të hënën”, tha zëdhënësi.

Të njëjtin vendim ka njoftuar edhe kompania belge “Brussels Airlines”, degë e “Lufthansa”-s. Kompania u shpreh e gatshme të bashkëpunojë me autoritetet për të organizuar riatdhesime ose fluturime ndihmash.

“Air France” po ashtu ka pezulluar shërbimin e saj në Tel Aviv deri në një njoftim të mëtejshëm.

Masa të ngjashme kanë marrë edhe kompani të tjera të njohura fluturimi.  (Fatosi)