CMG-ja dhe media të vendeve të "Një brez, një rrugë" nisin bashkëpunimin e ri
2023-10-09 21:20:54

Në prag të Forumit të 3-të për Bashkëpunimin Ndërkombëtar "Një brez, një rrugë", të hënën u zhvillua në Pekin ceremonia e nisjes së raundit të ri të bashkëpunimit mes Grupit Mediatik të Kinës (CMG) dhe mediave nga vendet përgjatë "Një brez, një rrugë".

Në fjalimin e mbajtur në ceremoni, drejtori i CMG-së Shen Haixiong u shpreh se nxitja e ndërtimit të përbashkët të "Një brez, një rrugë" është një praktikë për krijimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit, një platformë e rëndësishme e bashkëpunimit ndërkombëtar në dobi të botës dhe një produkt publik global. Si radiotelevizioni kombëtar kinez, CMG-ja mban përgjegjësinë e medias, është bërë pjesëmarrëse dhe dëshmitare e ndërtimit të përbashkët të "Një brez, një rrugë", ka nënshkruar marrëveshje të shërbimit të lajmeve me 682 media të 151 vendeve dhe ka propozuar e krijuar aleancën e parë ndërkombëtare të mediave televizive, Bashkësinë Televizive të Rrugës së Mëndafshit, duke promovuar thellimin e bashkëpunimit ndërmjet mediave të vendeve pjesëmarrëse në "Një brez, një rrugë".

Në ceremoni u publikua "Nisma e përbashkët e CMG-së dhe e mediave nga vendet përgjatë 'Një brez, një rrugë' për promovimin e mësimit të ndërsjellë ndërmjet qytetërimeve", ku u bëhet thirrje mediave të përhapin vlerat e përbashkëta të njerëzimit, të mbrojnë shumëllojshmërinë e qytetërimeve botërore dhe të drejtojnë shkëmbimet e bashkëpunimin njerëzor.

Në ceremoni u publikuan edhe rezultatet e aktivitetit të mbledhjes globale të historive "Unë dhe 'Një brez, një rrugë'". Në aktivitet u mblodhën 1000 histori të mrekullueshme nga 131 vende e rajone të botës. Njoftimet përkatëse mbuluan 1 miliard e 728 milionë veta, duke ngjallur jehonë të madhe brenda e jashtë vendit. (Fani)