Presidenti rus, Vladimir Putin, u shpreh i gatshëm për të rifilluar dërgesat e gazit në Gjermani përmes gazsjellësit “Nord Stream 2”, duke parë rritjen e çmimeve të energjisë në Europë, nxitur pjesërisht dhe nga vendimi i Rusisë për t’i dhënë fund furnizimeve në kontinent, shkruan “ATSH”.
“Jemi gati të pompojmë 27 miliardë metra kub gaz në vit përmes tubacionit, por vendimi i takon Gjermanisë”,- deklaroi presidenti Putin në forumin ndërkombëtar të Klubit Diskutues Valdai në Sochi.
Sipas kompanisë “Nord Stream”, në vitin 2021 u shpërndanë 59 miliardë metra kub gaz përmes gazsjellësit “Nord Stream 1”.
Putin kritikoi shpërthimet e vitit të kaluar në tubacionet e “Nord Stream”, që kalonin nga Rusia në Gjermani, duke i cilësuar akte terrorizmi.
“Nord Stream 1, 2” kalojnë secili si një linjë dyshe nënujore në një distancë prej rreth 1200 kilometrash nga Rusia në Gjermani.
“Nord Stream 1” ka furnizuar një pjesë të konsiderueshme të gazit të importuar në Europë që nga viti 2011.
Asnjë nga tubacionet nuk po furnizon në fakt me gaz, pas një bllokimi energjetik midis Bashkimit Europian dhe Rusisë si rezultat i konfliktit në Ukrainë. (Irma)