Foto nga CFP
Bodrumet e verës në Europë janë plot, ndërsa kërkesa për produktin po rritet vazhdimisht në Kinë, deklaroi prodhuesi sllovak Eduard Sebo.
Gjatë një interviste për “Xinhua”, ai tha se rënia e kërkesës në të gjithë Europën vazhdon të ulë çmimet dhe kërcënon të shkatërrojë industrinë e verës.
Sipas tij, prodhuesit e verës po detyrohen ta distilojnë verën në produkte të tjera si alkooli për dezinfektues ose të kërkojnë tregje të reja.
Ai theksoi se konsumi dhe prodhimi i verës janë në rritje në Kinë, pasi mori pjesë në një konkurs të kohëve të fundit midis verërave të Europës Qendrore dhe Lindore dhe atyre kineze, pjesë e Festivalit të Kulturës së Verës Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore 2023 të mbajtur në qytetin Cangzhou, në provincëm Hebei.
Rreth 320 verëra të prodhuara nga 20 prodhues të verës nga 16 vende u vlerësuan nga tre komisione dhe rreth gjysma e mostrave ishin kineze.
Kantina e verës “Sebo” mori një medalje ari për varietetin “Muscat Blanc a Petits Grain”.
Duke përmendur rritjen e shpejtë të konsumit të verës në Kinë në 15 vitet e fundit (nga 0.02 litra për frymë në 2.2 litra për frymë), Sebo tha se kishte pritshmëri të mëdha për prodhuesit e verës në vështirësi në Europë.
Konkurset e verërave kanë një traditë të fortë në Europë dhe Sebos disa vite më parë i lindi ideja për të krahasuar verërat europiane me varietetet gjithnjë në progres të prodhuara në Kinë, me shpresën për të promovuar këto produkte midis klientëve kinezë. Ai inicioi dy garat e para së bashku me partnerët e tij kinezë dhe mori pjesë në edicionin e tretë të këtij viti. Gjatë qëndrimit të tij në Kinë këtë herë, Sebo vizitoi një punishte vere të profilit të lartë në provincën Shandong të Kinës lindore.
Sebo, i cili është gjithashtu president i grupit të investimeve “United Industries”, u habit nga madhësia dhe niveli i teknologjisë së zbatuar në vend.
Biznesmeni 73-vjeçar u befasua veçanërisht nga një ndërtesë kërkimore dhe zhvillimi 25-katëshe, dhjetë makina për mbushjen e verës dhe karroca autonome që lëviznin rreth kompleksit.
I sigurt në potencialin e tregut kinez të verërave, kompania e tij ka krijuar gjithashtu një sipërmarrje të përbashkët, “Zhongjie Nitra Winery” në Cangzhou. (Irma)