FMN: Pritet rritje e dobët e ekonomisë globale
2023-10-07 11:36:31

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, deklaroi se ajo vazhdon të presë një rritje të dobët në ekonominë globale.

“Ekonomia globale ka treguar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Por, pavarësisht kërkesës së fortë për shërbime dhe progresit në luftën kundër çmimeve të larta të konsumit, ritmi i rritjes globale mbeti i dobët. Ishte shumë nën 3.8%, mesatarja vjetore nga viti 2000 deri pak para pandemisë”,- theksoi Georgieva, përcjell “ATSH”.

Në korrik, FMN kishte paraqitur një parashikim të rritjes prej 3% për vitin 2023 dhe 2024. Vitin e kaluar, ekonomia globale u rrit me 3.5%. Perspektivat e rritjes ishin gjithashtu në rënie në periudhën afatmesme, por situata nuk ishte uniforme.

FMN-ja do të prezantojë perspektivën e re ekonomike të martën, gjatë takimit vjetor në Marrakesh.

“Lufta kundër inflacionit të lartë mbetet prioritet”, tha Georgieva. (Irma)