(foto nga Panorama)
Dhjetëra mijëra punonjës të rrjetit të kujdesit shëndetësor “Kaiser Permanente” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hyrë në një grevë treditore, pasi ka pasur probleme me kontratat e punës dhe sipas tyre mungesa e personelit po mbingarkon punonjësit dhe po vonon kujdesin jetik shëndetësor, shkruan “Panorama”.
“Kaiser Permanente”, një kompani spitalesh, farmacish dhe klinikash me qendër në Kaliforni, u shërben afro 13 milionë amerikanëve.
Rrjeti “Kaiser Permanente” premtoi se 39 spitalet e tij, përfshirë pavijonet e urgjencës, do të qëndrojnë të hapura pasi mjekët dhe shumë infermierë nuk po bëjnë grevë. Por procedurat joemergjente mund të vonohen dhe koha e pritjes për telefonatat te shërbimi ndaj klientit mund të rritet.
Sindikatat e punëtorëve të rrjetit Kaiser kërkuan një pagë minimale prej 25 dollarësh për orë në gusht, e pasuar nga rritje prej 7% në dy vitet e ardhshme dhe 6.25% në dy vitet më pas.
Anëtarët e sindikatës thonë se mangësitë në personel po e ndihmojnë rrjetin “Kaiser Permanente” të vjelë fitime masive në dëm të shëndetit të pacientëve, duke i akuzuar drejtuesit për mashtrim në negociata.
Rrjeti “Kaiser” propozoi paga minimale nga 21 deri në 23 dollarë në orë në vitin 2024.
Që nga viti 2022, Kaiser ka punësuar afërsisht 51.000 punonjës dhe po kërkon të shtojë rreth 10.000 të tjerë përpara fundit të muajit.
Të ardhurat operative të sistemit spitalor ishin 25 miliardë dollarë në tremujorin e dytë të këtij viti, një rritje prej 7% nga shifrat e mëparshme. Por kompania gjigande e kujdesit shëndetësor është ende duke u mbrojtur nga fenomeni mbarëkombëtar i vendeve të paplotësuara të punës dhe rritja e inflacionit. (Irma)