Putini thotë se Perëndimi ka mungesë vullneti për kompromis
2023-10-06 15:39:02

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se Perëndimi kishte humbur lidhjen me realitetin për luftën në Ukrainë. Ai paralajmëroi se, nëse udhëheqësit perëndimorë kanë harruar se si të bëjnë kompromis, atëherë bota do të duhej të shihte se ku të çon një arrogancë e tillë.

Zoti Putin akuzoi Perëndimin për nxitjen e konfliktit në Ukrainë, të cilën ai e vlerëson si pjesë të një lufte shumë më të madhe midis Rusisë dhe një Perëndimi arrogant.

“Bashkëbiseduesit tanë në Perëndim duket se kanë harruar plotësisht se ekzistojnë koncepte si vetëpërmbajtja e arsyeshme, kompromisi, gatishmëria për të hequr dorë prej një gjëje për të arritur një rezultat të pranueshëm për të gjithë”, tha presidenti Putin.

“Ata janë pa dyshim të fiksuar pas vetëm një gjëje, të realizojnë interesat e tyre me çdo kusht. Nëse kjo është zgjedhja e tyre, le të shohim se çfarë do të vijë prej saj”, tha zoti Putin në një takim të Klubit të Diskutimit Valdai në Soçi të Rusisë.

Gjatë fjalimit të tij, presidenti Putin gjithashtu njoftoi se Rusia ka realizuar me sukses provat me një raketë që funksionon me energji bërthamore, ndërsa paralajmëroi se vendi i tij mund të anulojë ratifikimin e traktatit për ndalimin e provave bërthamore.

“Bëmë me sukses provën e fundit të raketës vetëlëvizëse me rreze globale ‘Burevestnik’, që ushqehet me energji bërthamore”, tha ai, pa dhënë detaje të mëtejshme. Kjo është hera e parë që njoftohet dalja me sukses e provave për raketën “Burevestnik”, për të cilën presidenti rus pati folur për herë të parë në vitin 2018.

Në fjalim, Presidenti rus Putin vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara e kanë nënshkruar, por nuk e kanë ratifikuar traktatin e vitit 1996 për Ndalimin e Gjithanshëm të Provave Bërthamore, ndërsa Rusia e ka nënshkruar dhe ratifikuar atë. Ai argumentoi se Rusia mund të "pasqyrojë qëndrimin e marrë nga Shtetet e Bashkuara".

"Teorikisht, ne mund ta revokojmë ratifikimin", tha ai.