Foto nga VCG
Nisma “Një brez, një rrugë” i ka ofruar rajonit autonom të Xinjiang Ujgur mundësi të paprecedenta për zhvillim dhe ka ndihmuar në përmirësimin e jetesës së banorëve, deklaroi Yusupjan Mamat, nënkryetar i qeverisë rajonale të Xinjiang.
Gjatë një interviste për “Xinhua”, përcjellë edhe nga “China Daily”, ai tha se pas një dekade eksplorimi dhe praktike, Xinjiang ka bërë përparime në promovimin e ndërtimit të projekteve të “Një brez, një rrugë”.
Sipas tij, Xinjiang do të vazhdojë të zgjerojë hapjen e tij dhe të promovojë zhvillimin me cilësi të lartë, për të arritur përparime dhe rezultate të reja.
Si zonë thelbësore e “Një brez, një rrugë”, Xinjiang, i cili kufizohet me tetë vende, duke përfshirë Kazakistanin, Pakistanin dhe Mongolinë, gjatë dekadës së fundit ka bërë përpjekje të vazhdueshme në shumë fusha, si koordinimi i politikave, lidhja e infrastrukturës, integrimi financiar dhe shkëmbimet njerëz me njerëzit.
“Rrethi i miqve të Xinjiang është zgjeruar”,- tha Yusupjan, duke vënë në dukje se ndërmarrjet rajonale kanë bërë investime në më shumë se 60 vende dhe rajone. Ata kanë ndërtuar gjithashtu katër parqe të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar jashtë shtetit dhe kanë organizuar shtatë ekspozita Kinë-Euroazi dhe gati 50 panaire mallrash në 10 vitet e fundit.
Foto nga VCG
Aktualisht, rajoni ka 118 rrugë ndërkombëtare të transportit rrugor, që përbëjnë një të tretën e totalit të Kinës, dhe linja e dytë hekurudhore me Kazakistanin është përfunduar dhe vënë në funksion.
Deri në fund të gushtit, 65.000 trena mallrash Kinë-Evropë, më shumë se gjysma e trenave të tillë në vend, kishin kaluar nëpër Xinjiang. Për më tepër, rajoni ka përshpejtuar në vitet e fundit formimin e një sistemi industrial modern të mbështetur nga industritë kryesore lokale, si minierat e gjelbra, drithërat, nafta, pambuku, tekstilet dhe veshjet.
Sipas tij, Xinjiang ka themelet, avantazhet dhe potencialin për hapje dhe zhvillim, nga të cilat mund të përfitojnë më tej njerëzit e të gjitha grupeve etnike në rajon.
“Një brez, një rrugë” ka përmirësuar ndjeshëm lidhjen në rajon. Aktualisht, të gjitha prefekturat dhe qytetet në Xinjiang janë të lidhura me autostradat e shpejta, të gjitha zonat e nivelit të qarkut kanë rrugë më të mira dhe të gjitha fshatrat kanë rrugë të asfaltuara.
Foto nga VCG
Përveç kësaj, janë ndërtuar dhe vënë në funksion 25 aeroporte të transportit civil, më shumë se çdo rajon tjetër i nivelit provincial në Kinë.
Duke vënë në dukje se bashkëpunimi i “Një brez, një rrugë” tani përballet me sfida, detyra dhe kërkesa të reja, Yusupjan tha se Xinjiang do të vazhdojë të fokusohet në prioritetet e tij, të orientohet drejt një hapje më të thellë dhe më të gjerë dhe të japë kontribute të reja e më të mëdha në promovimin e zhvillimit me cilësi të lartë të rajonit. (Irma)