Më shumë konsumatorë kinezë dëshirojnë të kenë asistentë virtualë novatorë
2023-10-05 14:38:49


Foto nga VCG

Zhang Zimeng, redaktore 32-vjeçare e një reviste financiare në Pekin, shkon në shtëpi pas një dite pune, ulet në divan dhe i kërkon “Xiaodu” - altoparlanti i zgjuar i “Baidu” - të luajë diçka nga këngëtari i saj i preferuar, Eason Chan.

“Xiaodu” dëgjon komandën e saj, ndizet dhe fillon të luajë muzikën e preferuar të Zhang. Kur ajo pyet se si do të jetë moti në Pekin ditën tjetër, asistenti digjital i aktivizuar me zë thotë se temperatura do të jetë 21 gradë Celcius në mëngjes dhe se ajo duhet të marrë një xhaketë.

Në ditët e sotme, klientët si Zhang janë në gjendje të shikojnë video e foto, të bëjnë thirrje me video dhe të kërkojnë në internet në altoparlantët e tyre inteligjentë, duke përdorur zërin ose duart e tyre. Për më tepër, ata mund të porosisin ushqime dhe ilaçe me komanda zanore.  Falë rritjes së shpejtë të teknologjive të njohjes së zërit dhe të të kuptuarit të gjuhës, altoparlantët inteligjentë po fitojnë tërheqje midis konsumatorëve të rinj të teknologjisë në Kinë.  Ekspertët thonë se inkorporimi i teknologjisë së inteligjencës artificiale gjeneruese me rritje të shpejtë dhe aftësive të chatbot-it në asistentët zanorë do të përmirësojë ndjeshëm funksionalitetin e altoparlantëve inteligjentë, duke i pozicionuar ata si shoqërues të vlefshëm brenda shtëpive.

Gjiganti i teknologjisë kineze “Baidu Inc” po mbështet rritjen e tregut të altoparlantëve inteligjentë në Kinë dhe po shton përpjekjet për të hulumtuar teknologjitë inteligjente të ndërveprimit të të folurit. Kompania ka zbuluar një sërë altoparlantësh inteligjentë për video, të quajtur “Xiaodu Zaijia”, të cilët janë të pajisur me ekrane të integruara me prekje dhe të mundësuar nga “DuerOS”, teknologjia bashkëbiseduese e inteligjencës artificiale e “Baidu”, e ngjashme me asistentin digjital të “Amazon”, “Alexa”.

Jing Kun, zv.president i “Baidu” dhe drejtor ekzekutiv i “Xiaodu Technology” - njësia e altoparlantëve inteligjentë të “Baidu” - tha se shkalla e depërtimit, shpejtësia e zhvillimit dhe numri i altoparlantëve inteligjentë me ekrane me prekje të integruar do të tejkalojë atë të altoparlantëve tradicionalë inteligjentë.

Sipas Jing, kompania shpreson të lejojë asistentët inteligjentë të angazhohen në skenarë të ndryshëm dhe të luajnë një rol më të madh në jetën e njerëzve.

“Altoparlantët inteligjentë me ekran mund të mundësojnë ndihmë të menjëhershme për të moshuarit dhe të shërbejnë si shoqërues virtualë gjithmonë të ndezur përmes teknologjisë së bisedës së inteligjencës artificiale, duke përmirësuar cilësinë e jetës së tyre”,- shpjegoi ai.

Jing tha se modelet e gjuhëve të “Baidu”, ose LLM, do të aplikohen në të ardhmen në pajisjet terminale inteligjente të kompanisë, si altoparlantët inteligjentë, tabletët dhe kufjet.

LLM-të i referohen algoritmeve kompjuterike që janë trajnuar me sasi të mëdha të dhënash dhe janë të afta të gjenerojnë përmbajtje të tilla si imazhe, tekste, audio dhe video. Kjo është teknologjia kryesore që mbështet ChatGPT-në, chatbot-i i inteligjencës artificiale i zhvilluar nga kompania kërkimore ameriakne “OpenAI”.

Të dhënat nga konsulenca e tregut “Runto” treguan se shitjet e altoparlantëve inteligjentë në Kinë pritet të rriten nga 26.31 milionë njësi vitin e kaluar në 27.15 milionë njësi në vitin 2023, një rritje e lehtë prej 3 për qind në bazë vjetore.

“Xiaodu” zuri vendin e parë dhe 35 për qind të tregut vendas të altoparlantëve inteligjentë në vitin 2022. “Xiaomi” u rendit e dyta dhe zuri 31 për qind, e ndjekur nga “Tmall Genie” e “Alibaba” dhe “Huawei”, sipas Runto.

Përparimet në njohjen e të folurit, përpunimin e gjuhës natyrore dhe LLM-të do të përmirësojnë shumë funksionalitetin e asistentëve zanorë dhe përvojën e përdoruesit. Teknologjia gjeneruese e inteligjencës artificiale mund t'u sigurojë asistentëve zanorë një kuptim shumë më të lartë njohës të qëllimeve të përdoruesve, sipas një raporti të publikuar nga konsulenca globale e tregut “Canalys”.

Këto përparime mund të transformojnë asistentët zanorë në shoqërues virtualë të domosdoshëm që ofrojnë komoditet dhe shoqëri, duke tejkaluar aftësitë e kufizuara aktualisht dhe duke kapërcyer zhgënjimet e shprehura nga përdoruesit, shtoi ai.

“Alibaba Group” ka investuar shumë në forcimin e ekosistemit të inteligjencës artificiale të gjërave që rrethojnë altoparlantin e tij kryesor të zgjuar, “Tmall Genie”. Ai integron më shumë përmbajtje dhe shërbime në platformat e “Alibaba”-s, duke përfshirë argëtimin, arsimin, kujdesin shëndetësor dhe blerjet në internet.

“Tmall Genie” ka rritur përpjekjet për të avancuar kërkimin në sistemet operative të internetit të gjërav e, llogaritjen e skajshme dhe teknologjitë e inteligjencës artificiale, si përpunimi i gjuhës natyrore.

Sipas “Alibaba”, këto teknologji do të ndihmojnë në ngritjen e përvojës së përdoruesit të “Tmall Genie” duke mundësuar ndërveprime më të personalizuara dhe vizuale, si dhe zë më natyral.

“Alibaba” njoftoi planet për të integruar chatbot-in e saj të inteligjencës artificiale të ngjashme me ChatGPT-në në të gjitha bizneset e saj të zbatueshme, duke përfshirë “Tmall Genie” dhe “DingTalk”, aplikacionin e mesazheve në vendin e punës të kompanisë.

“Sfida është të sjellësh përmirësime dhe risi të dukshme me një rritje minimale të kostove”,- tha Jason Low, menaxher kërkimi për “Canalys”.

Ekosistemi i asistentit inteligjent duhet të mbështetet nga zhvilluesit e palëve të treta, shitësit e pajisjeve dhe ofruesit e shërbimeve, tha Low, duke shtuar se partnerët e ekosistemit duhet t'i kushtojnë vëmendje asaj që arrijnë shitësit e platformave, duke pasur një sens të mprehtë për zbulimin e përdorimeve të reja ndërsa zakonet e përdoruesve ndryshojnë.