Foto nga VCG
Kondicionerët që kontrollojnë automatikisht lagështinë dhe temperaturën e një dhome bazuar në aftësinë e tyre vetëmësuese për të gjurmuar zakonet e përdoruesve, tashmë janë bërë pjesë e jetës së përditshme të njerëzve.
Në epokën e inteligjencës, pothuajse çdo pajisje shtëpiake mund të kontrollohet përmes komandave zanore, njohjes së fytyrës ose duke përdorur pajisje celulare nga distanca. Teknologjitë digjitale të përparuara po transformojnë me shpejtësi shumë industri tradicionale dhe po e bëjnë jetën më të përshtatshme.
Sektori i pajisjeve shtëpiake inteligjente në Kinë pritet të shohë rritje shpërthyese në vitet e ardhshme, falë mbulimit super të shpejtë 5G, inteligjencës artificiale dhe internetit të gjërave, thonë ekspertët.
Një raport nga kompania globale e kërkimit të tregut “International Data Corp” thotë se dërgesat e pajisjeve shtëpiake inteligjente në Kinë arritën në 260 milionë njësi vitin e kaluar, një rritje prej më shumë se 17 për qind në bazë vjetore. Shifra pritet të arrijë në 540 milionë njësi në vitin 2025, me të ardhura totale nga shitjet që tejkalojnë 800 miliardë juanë (109.6 miliardë dollarë).
Sipas “International Data Corp”, dërgesat globale të pajisjeve shtëpiake inteligjente ranë për herë të parë në vitin 2022 pasi dërgesat ranë 2.6 për qind në bazë vjetore në 871.8 milionë njësi.
Kompania parashikoi një rritje modeste prej 2.2 për qind në dërgesat e pajisjeve shtëpiake inteligjente në vitin 2023, ndërsa ekonomia globale rimëkëmbet. Kjo rritje ka të ngjarë të vazhdojë deri në vitin 2027 me dërgesat në mbarë botën që mund të arrijnë në 1.23 miliardë njësi.
Ndërkohë, Kina është bërë tregu më i madh i konsumit në botë për pajisjet shtëpiake inteligjente, duke zënë një pjesë prej 50 deri në 60 për qind në sektorin global të shtëpive inteligjente, sipas kompanisë së kërkimit të tregut “AskCI Consulting”.
Prodhuesit kinezë të pajisjeve shtëpiake po përshpejtojnë hapat për të përdorur teknologjitë më të fundit 5G, inteligjencën artificiale dhe internetin e gjërave, për të promovuar përmirësimin dhe përsëritjen e produkteve.
Interneti i gjërave (IoT) i referohet një rrjeti objektesh me softuer ose sensorë që lejojnë shkëmbimin e të dhënave. “Haier Smart Home”, një degë e prodhuesit më të madh kinez të pajisjeve shtëpiake “Haier Group”, ndërtoi një ekosistem IoT me fuqi 5G duke ofruar zgjidhje të personalizuara që lidhin së bashku produkte të shumta të pajisjeve shtëpiake. Ekosistemi mundësohet nga platforma industriale e internetit e “Haier”, “COSMOPlat”, e cila është krijuar për kompanitë që të personalizojnë shpejt produktet duke mbledhur dhe analizuar të dhëna nga konsumatorët, furnitorët dhe fabrikat duke rritur produktivitetin dhe duke ulur kostot.
Konsumatorët mund të përfshihen në procesin e dizajnimit të produktit, kërkimit dhe zhvillimit, prodhimit, shitjes dhe marketingut. “Interneti i veshjeve” i “Haier” përfshin jo vetëm makina që lajnë, por gjithashtu mund të mbikëqyrë gjithçka që ka të bëjë me veshjet, duke përfshirë stilin, blerjet dhe lloje të tjera të mirëmbajtjes dhe ruajtjes. Li Huagang, president i “Haier Smart Home”, deklaroi se në epokën e 5G dhe internetit të gjërave, ajo që u nevojitet përdoruesve nuk janë produkte homogjene, por zgjidhje të personalizuara për të përmbushur preferencat e tyre personale.
“Ne jemi të gatshëm të prezantojmë shërbime të personalizuara për më shumë familje”,- tha ai, duke nënvizuar se kompania nuk synon të shesë vetëm pajisje shtëpiake, por të ofrojë edhe sisteme të personalizuara për shtëpi inteligjente.
Modeli i shërbimit IoT të “Haier” ofron opsione fleksibël dhe të personalizuara, nga dizajni dhe ndërtimi i kuzhinës deri te blerja, shpërndarja dhe instalimi i paketave të tëra pajisjesh.
Pan Xuefei, analist i lartë në “International Data Corp”, tha se 5G dhe AIoT, ose inteligjenca artificiale e gjërave, do të luajnë një rol kyç në forcimin e lidhjes midis pajisjeve të ndryshme të shtëpive inteligjente në skenarë të ndryshëm aplikimi dhe lehtësimin e procesit të ndërveprimit midis qenieve njerëzore dhe makinerive.
AIoT i referohet kombinimit të teknologjive të inteligjencës artificiale me infrastrukturën e internetit të gjërave, për të përmirësuar ndërveprimet njeri-makinë dhe për të përmirësuar menaxhimin dhe analitikën e të dhënave.
Pan tha se këto teknologji inovative, si ndërveprimi i zërit dhe njohja e fytyrës, janë aplikuar gradualisht në altoparlantët inteligjentë, pajisjet e mbikëqyrjes së sigurisë dhe pajisjet e tjera të zgjuara të shtëpisë për të përmirësuar përvojën e përdoruesit dhe për të pasuruar funksionet e produkteve të ngjashme.
“Industria kineze e shtëpive inteligjente tani po zhvillohet me hapa të mëdhenj, e nxitur nga përparimet e 5G, internetit të gjërave, të dhënat e mëdha dhe teknologji të tjera”,- tha Zhang Yanbin, studiues i pavarur në sektorin e pajisjeve shtëpiake, duke shtuar se së bashku me dëshirën në rritje të njerëzve për një jetë me cilësi të lartë, sektori i shtëpive inteligjente të aktivizuara me inteligjencën artificiale ka një të ardhme premtuese.
Prodhuesi kinez i pajisjeve shtëpiake “Midea Group” ka lançuar një sistem operativ të internetit të gjërave të mbështetur nga “HarmonyOS” i “Huawei Technologies Co”.
“Sistemi operativ i internetit të gjërave ndihmon në lidhjen e pajisjeve inteligjente shtëpiake të prodhuara jo vetëm nga “Midea”, por edhe nga prodhues të tjerë, si dhe ofron më shumë fleksibilitet për ekosistemet e pajisjeve inteligjente shtëpiake”, tha Xiang Jiangxu, zv.president dhe shef i teknologjisë i “Midea IoT”.
Kina njoftoi një sërë masash në korrik për të nxitur shpenzimet e konsumatorit për sendet shtëpiake, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të forcuar kërkesën e brendshme dhe për të mbështetur ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Sipas një njoftimi të publikuar nga Ministria e Tregtisë dhe 12 departamente të tjera, vendi do të mbështesë ndërmarrjet për të përdorur internetin e gjërave, “cloud computing” dhe inteligjencën artificiale për të përshpejtuar kërkimin dhe zhvillimin e pajisjeve të zgjuara shtëpiake, objekteve të sigurisë inteligjente, ndriçimit inteligjent, prodhimeve të zgjuara argëtuese audio dhe video.
Ndërveprimi zanor është përdorur gjerësisht në fushën e shtëpisë inteligjente dhe prodhuesit kinezë të pajisjeve shtëpiake po përmirësojnë nivelin e tyre teknologjik për t'i bërë produktet më inteligjente dhe më miqësore për përdoruesit, sipas specialistëve.
Prodhuesit kinezë të pajisjeve shtëpiake po shtojnë gjithashtu përpjekjet për të integruar chatbot-in e fuqizuar nga inteligjenca artificiale në produktet dhe shërbimet e tyre, me shpresën për të ofruar përvoja më të mira të ndërveprimit njeri-makinë, pasi ChatGPT-ja i “OpenAI” ka tërhequr vëmendjen në mbarë botën për shkak të aftësive të tij të avancuara bisedore.
“Hisense Visual Technology Co Ltd”, një kompani e pajisjeve shtëpiake, me bazë në provincën Qingdao, Shandong, i është bashkuar ekosistemit të “Ernie Bot”, një chatbot i ngjashëm me ChatGPT-në i lançuar nga “Baidu” në mars, për të integruar teknologjinë inteligjente të bisedës së këtij të fundit në televizorët e tij dhe ekrane me përmasa të mëdha.
“Midea” është gjithashtu ndër grupet e para të partnerëve për “Ernie Bot”. Kompania njoftoi se produktet e saj të shtëpisë inteligjente dhe robotët e shërbimit familjar do të kenë akses te “Ernie Bot”, i cili ka treguar aftësitë e tij në fusha duke përfshirë krijimin letrar, shkrimin e biznesit, llogaritjet matematikore dhe të kuptuarit e gjuhës kineze. “Midea” njoftoi se do të forcojë përmirësimin e aftësive të bisedës njeri-makinë në sektorin e shtëpive inteligjente duke përdorur teknologjinë më të fundit gjeneruese të inteligjencës artificiale.
Në mënyrë të ngjashme, “Sichuan Changhong Electric Co Ltd” po rrit përpjekjet për të promovuar aplikimin e “Ernie Bot” në pajisjet e saj shtëpiake.
Sipas ekspertëve, bashkëpunimi midis prodhuesve të pajisjeve shtëpiake dhe zhvilluesve të chatbot-it të inteligjencës artificiale do të përshpejtojë transformimin digjital dhe inteligjent të industrisë së pajisjeve shtëpiake të Kinës. Përparimet te teknologjitë e produktit do të stimulojnë më tej oreksin e blerësve. Megjithatë, sipas tyre, ka edhe disa sfida dhe vështirësi në zhvillimin e pajisjeve inteligjente shtëpiake.