Klima (Foto RTSH)
Studiuesit kanë gjetur grimca të vogla plastike në re, të cilat mund të jenë duke kontribuar në ndryshimin e klimës. Shkencëtarët mblodhën ujë nga retë që rrethojnë malin Fuxhi të Japonisë dhe malin Ojama në lartësitë midis 1300-3776 metra dhe më pas aplikuan teknika të avancuara imazherike për të përcaktuar nëse mikroplastika ishte e pranishme, shkruan “RTSH”.
Nëntë lloje të ndryshme polimeresh dhe një lloj gome u gjetën në mikroplastikën e ajrit, në madhësi që variojnë midis 7.1-94.6 mikrometra.
Ata gjetën gjithashtu një sasi të lartë polimerësh hidrofilë, për të cilët thanë se mund të veprojnë si bërthama e kondensimit të reve, duke sugjeruar se luajnë një rol kyç në formimin e shpejtë të reve, të cilat përfundimisht mund të ndikojnë në klimën e përgjithshme.
“Në përgjithësi, gjetjet tona sugjerojnë se mikroplastika në lartësi të madhe mund të ndikojë në formimin e reve dhe, nga ana tjetër, mund të modifikojë klimën. Me sa dimë, ky studim është i pari që zbulon mikroplastikën në ujin e reve si në troposferën e lirë ashtu edhe në shtresën kufitare atmosferike”, - shkruajnë shkencëtarët në studim.
Mikroplastika e ajrit degradohet shumë më shpejt në atmosferën e sipërme për shkak të rrezatimit të fortë ultravjollcë, i cili liron gazet serrë dhe kontribuon në ngrohjen globale.
Mikroplastika mund të ndotë pothuajse gjithçka që hamë dhe pimë.
Në një deklaratë në lidhje me studimin, Universiteti Uaseda bëri të ditur se hulumtimi tregon se mikroplastika gëlltitet ose thithet nga njerëzit dhe kafshët njësoj dhe janë zbuluar në organe të shumta, si mushkëritë, zemra, gjaku, placenta dhe feçet.
“Mikroplastika mund të jetë bërë një komponent thelbësor i reve, duke ndotur pothuajse gjithçka që hamë dhe pimë nëpërmjet reshjeve plastike”,- thuhet në deklaratë. (Elona)