Foto nga VCG
Kina shprehu pakënaqësi të fortë të mërkurën në lidhje me hetimin antisubvencion të Bashkimit Evropian për automjetet elektrike kineze, duke thënë se hetimi bazohet vetëm në supozime subjektive mbi të ashtuquajturat mënyra subvencionimi dhe kërcënime dëmtimi. Sipas palës kineze, nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur këtë pretendim, i cili është në kundërshtim me rregullat përkatëse të OBT-së.
"BE-ja i kërkoi Kinës të kryente konsultime brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore dhe nuk arriti të sigurojë materiale për konsultimin, gjë që dëmtoi seriozisht të drejtat e Kinës," tha një zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë së Kinës në një përgjigje për shtypin. Sipas tij, masat hetimore të planifikuara nga BE-ja kanë si qëllim të mbrojnë industritë europiane në emër të "tregtisë së ndershme" dhe në fakt janë proteksionizëm i pastër, që do të prishë dhe dëmtojë zinxhirët globalë të furnizimit dhe industrisë të automjeteve, duke përfshirë ato në BE, duke shkaktuar ndikim negativ për marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare Kinë-BE.
Kina i kërkon BE-së të përdorë masat e rregullimit të tregtisë me maturi dhe të ruajë qëndrueshmërinë e zinxhirëve globalë industrialë e të furnizimit dhe partneritetin e gjithanshëm strategjik Kinë-BE, shtoi zëdhënësja. BE-ja duhet të inkurajojë bashkëpunimin në industrinë e energjisë së re të përfaqësuar nga automjetet elektrike dhe të krijojë një mjedis të drejtë, jodiskriminues dhe të parashikueshëm për zhvillimin e përbashkët të industrisë së automjeteve elektrike Kinë-BE, theksoi zëdhënësi.
Sipas tij, Kina do t'u kushtojë vëmendje të madhe procedurave hetimore të BE-së dhe do të mbrojë me vendosmëri të drejtat dhe interesat e ligjishme të kompanive kineze. (Çang Çuo)