Hong Kongu krijon Zyrën e Koordinimit të Lojërave Kombëtare
2023-10-05 15:50:37

Zyra e Kulturës, Sporteve dhe Turizmit e qeverisë së Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong Kongut (HKSAR) njoftoi ngritjen e Zyrës së Koordinimit të Lojërave Kombëtare, për të marrë plotësisht përsipër punën e planifikimit dhe zbatimit të Lojërave të 15-a Kombëtare Kineze në vitin 2025, shkruan “Xinhua”. 

Zyra do të marrë gjithashtu përgjegjësinë për përgatitjen për Lojërat e 12-a Kombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara (NGD) dhe Lojërat e 9-a Olimpike Speciale Kombëtare (NSOG).  

Lojërat Kombëtare, që mbahen një herë në katër vjet, janë ngjarja më e madhe kombëtare multisportive. Ato do të organizohet në Guangdong, Hong Kong dhe Makao. Kjo është hera e parë që Hong Kongu do të jetë bashkëpritës i Lojërave Kombëtare.  Palët do të bashkorganizojnë gjithashtu Lojërat e 12-a Kombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara (NGD) dhe Lojërat e 9-a Olimpike Speciale Kombëtare (NSOG), që do të zhvillohen pas Lojërave të 15-a Kombëtare.  

Në maj 2023, qeveria HKSAR krijoi komitetin organizues të Lojërave të 15-a Kombëtare të Kinës në Hong Kong, për të siguruar drejtimin e politikave dhe mbikëqyrjen e përgatitjes për ngjarjet që do të organizohen në Hong Kong.  

Për të mbikëqyrur dhe koordinuar punën operacionale, një komitet drejtues, i kryesuar nga sekretari i përhershëm për Kulturën, Sportin dhe Turizmin e qeverisë së HKSAR, me mbështetjen e komiteteve të ndryshme koordinuese, do të ngrihet në tremujorin e katërt të këtij viti, për të kryer punë në fusha të ndryshme, duke përfshirë garat, emigracionin, sigurinë, akreditimin, median, publicitetin, marrëdhëniet me komunitetin, shërbimet mjekësore dhe rregullimet e transportit dhe trafikut. (Elona)