Polonia dhe Ukraina bien dakord për eksportin e drithërave
2023-10-05 16:53:10

CFP

Polonia dhe Ukraina arritën një marrëveshje lidhur me kalimin përmes territorit të Polonisë të automjeteve që eksportojnë grurë nga Ukraina. Në marrëveshje edhe me Lituaninë, dy vendet ranë dakord që të përshpejtojnë tranzitin e eksporteve për tregjet në Afrikë dhe Lindjen e Mesme përmes Polonisë, shkruan “RTSH”.

Prej së martës, automjetet që transportojnë drithëra nga Ukraina për në portet lituaneze nuk do të kontrollohen më në kufirin polako-ukrainas, u shpjegoi gazetarëve ministri i Bujqësisë i Polonisë, Robert Telus.

Sipas marrëveshjes, përgjegjësinë e plotë për kontrollin e mallrave do ta marrë Lituania.

Për shkak të konfliktit me Rusinë, rruga për eksportimin e grurit ukrainas përmes Detit të Zi është bllokuar. BE-ja vendosi kufizime tregtare ndaj Ukrainës për transportin e drithërave me rrugë tokësore, në mënyrë që të mbronte fermerët në vendet tranzit, ku bëjnë pjesë edhe Polonia, Hungaria, Bullgaria dhe Rumania. (Elona)