Suedia do të përdorë teknologji moderne për të luftuar krimin e bandave
2023-10-05 15:54:33

Teknologji ne Suedi (Foto ATSH)

Teknologji ne Suedi (Foto ATSH)

Teknologjia moderne, duke përfshirë dronët dhe njohjen e fytyrës dhe targave, do të përdoret për të luftuar krimin e përhapur të bandave në Suedi. Sipas përfaqësuesve të qeverisë suedeze, legjislacioni i ri do të lehtësojë bashkëpunimin mes policisë dhe autoriteteve të tjera, citon “ATSH”.

Aplikacioni i njohjes së fytyrës do të përdoret për të identifikuar anëtarët e njohur të bandave, ndërsa targat do të regjistrohen automatikisht. Policia do të autorizohet të vendosë dronë në një masë më të madhe.

“Masat do të ndiqen shpejt me qëllimin e hartimit të një propozimi qeveritar brenda tetë muajsh”,- tha ministri i Drejtësisë, Gunnar Strömmer.

Një valë të shtënash dhe shpërthimesh ka tronditur shoqërinë suedeze. Gjatë muajit shtator, 11 persona u qëlluan dhe u vranë dhe një grua u vra nga një shpërthim. Vdekjet kanë qenë të lidhura me dhunën ndërmjet grupeve të përqendruara në tregtinë e drogave të paligjshme.

Viktimat përfshijnë të mitur, shumë prej tyre nga komunitetet e emigrantëve. (Elona)