BE-ja rrit angazhimin për zgjerimin e bllokut evropian në prag të samitit të Granadës
2023-10-05 16:17:41

Flamuj të BE-së (Foto Panorama)

Flamuj të BE-së (Foto Panorama)

Bashkimi Evropian pritet të rrisë përkushtimin për zgjerimin e bllokut gjatë samitit të kësaj jave në Granada të Spanjës. BE-ja zhvillon dy samite në Granada, më 5 dhe 6 tetor, ku liderët europianë do të bisedojnë për të ardhmen e kontinentit, citon “Panorama” mediat e huaja.

Samiti do të ketë edhe të ashtuquajturën “Deklarata e Granadës”, të cilën pritet ta miratojnë liderët e BE-së.

Në draftin e deklaratës thuhet se zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet në kontinent; është proces i cili do ta zvogëlojë pabarazinë mes vendeve dhe do t’i forcojë vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Europian.

Si pjesë e nisjes së përgatitjeve të BE-së për zgjerim, liderët pritet të diskutojnë edhe për reformat e brendshme të bllokut, në mënyrë që një BE e zgjeruar, kur të ketë më shumë se 30 vende anëtare, ta ketë më të lehtë miratimin e vendimeve.

Samiti në Granada do të jetë i karakterit joformal, ndërsa vendime konkrete rreth procesit të zgjerimit priten në samitin formal të BE-së në muajin dhjetor.

Zgjerimi i fundit i BE-së ka ndodhur me 1 korrik të vitit 2013 kur Kroacia u bë vendi më i ri anëtar. Prej atëherë nuk ka pasur zgjerim ndërsa Britania e Madhe është larguar nga BE-ja duke e lënë atë përsëri me 27 vende anëtare. (Elona)